I tha "JO" për negociatat, Macron do vizitojë Shqipërinë?
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e ardhshëm. Në komentin e tij publik pas bllokimit të hapjes së negociatave me këto vende, ai u shpreh se do të takohet me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev për të folur për reformat dhe hapat që duhet të bëjnë këto vende.


Me vizitën e tij Macron duket se ka për qëllim t’u dëshmojë Shqipërisë dhe Maqedonisë se perspektiva evropiane e këtyre vendeve është e hapur dhe Franca do t’i ndihmojë për të arritur këtë objektiv. Një burim diplomatik në Tiranë u shpreh për Exit.al se ende nuk ka detaje për këtë vizitë, pasi ajo është vendosur së fundmi dhe mbetet ende një premtim në parim.


Burimi diplomatik konfirmoi se si shenjë të mbështetjes së Francës për Shqipërinë, Presidenti Macron ka vendosur hapjen në Tiranë të zyrës të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të zbatojë ndihmën e Francës për projekte zhvillimi në Shqipëri. Me gjasa, ky hap mund të shënojë rritje të ndihmës franceze, e cila deri tani nuk ka qenë donator i rëndësishëm i Shqipërisë.


Makron kishte planifikuar ta vizitonte Shqipërinë fillimisht në vjeshtën e vitit 2018, në një turne Ballkanik, por ky turne u anulua. Macron vizitoi Serbinë më 16 korrik, pas anulimit të Samitit të Parisit në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë. Edhe këtë herë ai zgjodhi të shmangte Shqipërinë.

Duket se reagimi kritik i shumë vendeve evropiane për veton praktike franceze ndaj Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut e ka nxitur Makronin që më në fund t’i vizitojë të dy vendet. /Exit.al
Shtuar më 21/10/2019, ora 19:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori