I shqetësuar për Kushtetutën? Hajdari i përgjigjet Metës: E sfidoj për listat e hapura
Deputetja Hajdari ka komentuar tubimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për mbrojtjen e Kushtetutës.

Ndër të tjera, Hajdari e ka sfiduar që të dalë në mbështetje për miratimin e listave të hapura dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në studion e Ilva Noë, në Euroneës Albania, ajo tha se Kreu i Shtetit, në këtë formë do të tregonte me vepra se vërtetë shqetësohet për shkeljen e Kushtetutës, pasi me sistemin aktual, zgjedhësit nuk përfaqësohen siç duhet. Sa i takon manifestimit të mbajtur një ditë më parë, Rudina Hajdari tha se mbështet çdo tubim paqësor.

“Çdo manifestim që është paqësor është i mirëpritur, por ajo që dua të merrem është se unë e sfidoj presidentin që të mbështesë listat e hapura dhe të mbështesë ndryshimin e sistemit. Sepse ky sistemi që kemi sot, dhunon Kushtetutën e Shqipërisë, pasi dhunon zgjedhësit. Ta bëjë me vepra, dhe jo vetëm me fjalë.

Ai ndryshim që ka ndodhur në 2008 nuk është bërë me referendum, por nga një marrëveshje politike. Dhe ligji i referendumeve duhet përmirësuar, sepse sot nuk kemi mundësi që të bëjmë referendume”, deklaroi deputetja.

Lidhur me diskutimet në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Hajdari u shpreh se ajo do të paraqesë më 6 mars propozimet për ndryshimin e sistemit elektoral. Rudina Hajdari theksoi se në tryezë do të paraqiten tre opsione, përfshirë dhe modifikimin e sistemit aktual.

“Do të shikojmë vullnetin e palëve më datë 6 mars, kur do të propozoj sistemin e ri. Kemi tre propozime; sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, proporcional rajonal me lista të hapura me korrektim kombëtar dhe sistemin aktual me grupime rajonesh dhe lista të hapura”.
Shtuar më 03/03/2020, ora 21:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori