I shkarkoi të shtatë përnjëherësh , Rama u gjen punë të re ish-ministrave
Ndryshimet e fundit në qeveri kanë lënë 5 vende bosh në drejtimin e komisioneve parlamentare.

Për disa prej këtyre vendeve do të “rehabilitojnë” një pjesë të ministrave të shkarkuar.

Qysh kur Erjon Brace u zgjodh zëvendëskryeministër, karrigia e tij si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ngeli bosh. PS pritet të propozojë për këtë pozicion ish-ministrin Arben Ahmetaj.

Bërja e Bledar Çuçit ministër bujqësie ka prodhuar dy vakanca: një në bashkëkryesimin e reformës zgjedhore dhe një si nënkryetar i Komisionit të Integrimit, transmeton Report tv. Për këtë të fundit, PS nuk ka marrë ende një vendim dhe pse emrat më të përfolur për të qenë nënkryetarë të këtij komisioni janë ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati ose deputeti Ervin Bushati.

Ndërkohë, si bashkëkryetare të Reformës Zgjedhore PS pritet të propozojë Blerina Gjylametin.

Ministri i ri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes do të zëvendësohet nga Niko Peleshi. Ish ministri i bujqësisë do të propozohet si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Ministrja e re e Marrëdhënies me Parlamentin Elisa Spiropali ka lënë bosh karrigen e nënkryetares së Komisionit të Shëndetësisë. PS pritet të propozojë në këtë pozicion deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu.
Shtuar më 20/01/2019, ora 15:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori