I shau të atin, Shkëlzen Berisha ka një mesazh për Saimir Tahirin
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pati Sali Berishën dhe familjen e tij objekt qendror të diskutimit të tij në Kuvend duke ngjallur edhe reagimet e këtij të fundit. Gjatë fjalës së tij, Tahiri tha se kur qeveriste Berisha nuk dihej se ku mbaronte familja dhe ku fillonte pushteti.

Pas këtij fjalimi, Tahirit i është përgjigjur djali i Sali Berishës, Shkëlzeni nëpërmjet një statusi në Facebook. “Mediat nderkombetare e quajne trafikant droge por Saje qorri u qan hallin atyre qe mbjellin kanabis”, shkruan ai në Facebook.

“Nese e ka sinqerisht duhet me se paku te mos u marre leket e t’u behet pjese per çdo bime qe mbjellin. Le te vazhdoje te tjerre rrena, por me pare te zbatoje vendimin e gjykates e te paguaje gjoben per shpifje. Eshte i vetmi minister ne Europe qe nuk zbaton vendimin e gjykates. Aq me teper tani qe ka shitur dhe audin tek “hallexhinjte” e droges”., - vijoi djali i Berishës.

Fjalimi i Tahirit në Kuvend
Prita që të kërkoje një minutë heshtje për ish-deputetin e Partisë tënde (Gilman Bakallin), ta japë unë. Kam respektuar gjithmonë, sa herë i ke bërë thirrje këtij parlamenti, në shenjë humanizmi, për të mbajtur një minutë heshtje, qoftë edhe për viktimat e aksidenteve rrugore.

Gjithsesi e gjej unë me vend, i nderuar Kryetar i Parlamentit dhe të nderuar deputetë, që për një ish-kolegun tonë, ish-deputet një shkodran i mirë dhe një shqiptar i mirë t’i kërkoj Parlamentit ta respektojë me një minutë heshtje.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!
E ndërkohë, më vjen keq, që aty lart në lozhë, janë disa gjimnazistë nga Kamza, të cilët fati i keq i solli në seancë të dëgjojnë çfarë dimension balte, mungese edukate, mungesë respekti, çfarë lloj kulture i transmetojmë atyre të rinjve atje dhe shqiptarëve nga kjo foltore.

Foltore që është mësuar për interesa politik të marrë përpara këdo, gjithkënd, të shajë, të akuzojë, të hedhi baltë, - kriminelë, banditë, hajdutë, qorr, shurdh, - e shumë e shumë të tilla.

Unë e vë në dyshim, nëse interesi publik apo politika i mbaron të gjitha, por të jeni të bindur ju nxënës atje, ashtu siç janë të bindur shqiptarët që politika nuk është kjo. As i përmban e as duhet t’i përmbajë këto lloj baltosjesh të pamoralshme, në këtë foltore, vetëm e vetëm për të fituar vota.

Në këtë vend duhet të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i fitimit të votave në këtë mënyrë, duke përbaltur kundërshtarin jashtë çdo lloj etike, duke i vënë çdo lloj epiteti. E duke hedhur e duke pritur akuza pafund për kriminelë, për banditë, për batakçinj, për palaço.
ǒnuk kanë dëgjuar këto mure! Dhe kurrë nuk kanë dëgjuar falje. Kurrë nuk kanë dëgjuar diçka të denjë për të përfaqësuar opinionin publik. E për t’i thënë atyre të rinjve atje lart se: po këtu është vendi dhe këtu është salla ku disa burra dhe gra të ditur mund të mblidhen për të vendosur mbi interesin publik, pa akuzuar njeri, pa përbaltur njeri.

Se janë nxënës, gjimnazistë shqiptarë që na dëgjojnë jashtë kësaj salle e që presin të diskutojmë ne këtu për hallet e vërteta të këtij vendi; për arsimin e tyre, për ekonominë, për papunësinë, për varfërinë, e për të gjitha këto.

E këtu nuk dëgjohen këto. Kjo sallë është bërë sot, salla më e ulët dhe më e ndyrë. Dhe kjo foltore është bërë sot përfaqësimi më i padenjë për interesin publik të shqiptarëve, ku më i pamoralshmi mund të dalë këtu dhe të bëjë moral. Ku më gënjeshtari të dalë këtu dhe të predikojë për të vërtetën. Unë nuk e pranoj këtë!

Pavarësisht se s’do resht kurrë, bashkë me kolegët e mi, bashkë me deputetët e ndershëm majtas dhe djathtas, ata që realisht e duan këtë vend, për të luftuar që në këtë sallë të fitojë morali, jo imoraliteti, e vërteta jo gënjeshtra, interesi publik jo interesi privat, qoftë ky dhe interesi i partisë apo interesat e disa votuesve.

Kjo duhet të jetë salla e dijes ku ulemi të gjithë bashkë për të diskutuar si ta bëjmë më të mirë këtë vend. Askush nga ne nuk është perfekt. As unë, as kolegët e mi, as ju, as ata që kanë qenë. Po të paktën të njohim veset tona, gabimet tona. Dhe hajde mblidhemi të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën, jo kështu: “palaço me banditë, me kriminelë, me vrasës, me drogaxhi”, - jo me këto akuza.

Unë nuk kam fyer kërkënd në këtë parlament. Kundërshtarë ju kam, nuk ju fyej dot. Jeni prindër, keni vëllezër, keni motra, keni familje. Unë nuk ju fyej dot për njerëzit që jeni, vetëm pse përkasim në parti të ndryshme. Nuk e bëj dot këtë pavarësisht se shkojmë mbledhim vota për subjekte të ndryshme. E më vjen shumë keq që këtu çohet ish-kryeministri, ish-presidenti, njeriu që për 17 vjet ka qenë në karrigen e pushtetit në këtë vend, e të flasë për lirinë e mediave.

Dakord, ajo që ndodhi në Sharrë, me një djalosh 17-vjeçar i biri i një polici, është një fatkeqësi, e cila po hetohet, do hetohet dhe do ketë një rezultat. E mua më vjen shumë keq për familjen e tij. Ashtu si më vjen shumë keq që të rinjtë në moshë minore të detyrohen të punojnë në këtë vend, shpesh herë jo edhe në punë të denja.

Me këtë mund të merremi, me punësimin e denjë për të rinjtë. Me arsimin që kërkojnë, me këtë mund të merremi, ka debat.
Kush flet për vrasje shtetërore këtu. Se këtu nuk ka më kufij. Asnjë lloj arsyetimi. Kush flet për vrasje shtetërore këtu. Njeriu që për “Gërdecin” thoshte që ishte aksident teknologjik.

Njeriu që për “21 janarin” kujtonte rregulloren e Bulevardit.
Dhe sot tha “Po edhe “Gërdeci” është vrasje shtetërore. Në mos e dëgjova gabim. E nëse është vrasje shtetërore si ka mundësi që ministrin që e kishte në qeveri, që filloj hetimi, e që nuk u hetua sepse rifitoi mandatin e ka akoma aleat. Të dalë këtu ta denoncojë vrasësin shtetëror. Dhe qenka vrasje shtetërore në “Gërdec”?

Po është ngjarje që meriton hetim nga fillimi në fund.

Po unë nuk pranoj që ky zotëria këtu që ka qeverisur këtë vend për 17 vite me radhë, që ka lënë pas 26 viktima në Gërdec dhe e quajti aksident teknologjik, mes tyre edhe baxhanakun e tij që bënte sikur nuk e njihte dhe i ngatërronte emrin në konferencë për shtyp. Në një biznes ku i biri ishte përfshirë kokë e këmbë. Në një biznes ku Ministri i Drejtësisë i niste fakse Ministrit të Mbrojtjes me emrin e djalit të tij. Unë nuk pranoj moral nga ky njeri. Në një biznes ku ishte gjunjëzuar shteti kokë e këmbë dhe kamionë me radhë, zinxhirë shkonin furnizonin me armatim për demontim biznesin që ngriti i biri i tij dhe që sot është bërë gallata e librave dhe filmave në Hollyëood.

Kujton këtu dhe përmend këtu edhe artikujt e mediave botërore. Cilët artikuj? Artikujt që paguhen këtu brenda parlamentit. Për cilat artikuj në mediat botërore e keni fjalën? Artikujt këtu që i paguajnë njerëz këtu. Dhe që nisen nëpër redaksi si letër editorit, letër kryeredaktorit, për këto artikuj e keni fjalën.
Dhe kush flet për lirinë e medias, njeriu që u shpall zyrtarisht armiku i medias së lirë, sepse digjte redaksitë e mediave. Sepse digjte redaksitë e gazetave, përndiqte gazetarët dhe nuk po flasë para vitit 1997 po flas tani vonë.

Nuk u mbyll emisioni i Mero Bazes në Vizion Plus? A nuk ju sekuestrua me polici redaksia e gazetës? A nuk u gjobit Top Channel 13 milion euro? Ku ishit ju dashnorët e fjalës së lire? Ku ishit ju që të çoheshit në atë kohë dhe të flisnit për lirinë e fjalës. Unë flasë edhe sot.

Po nëse ai emision në Vizion Plus është mbyllur për arsye politike, super gabim. Por nuk më rezulton. Dje e pashë këtë transmetim në një emision tjetër.

Ku ishit ju që sot na vini e na bëni moral për fjalën e lirë kur digjeshin makinat e gazetarëve? Kur dhunoheshin gazetarët në rrugë? Ku ishit ju kur digjeshin redaksitë? Gazeta Koha Jonë u dogj në mes të Tiranës nga njerëz të Shërbimit Informativ, të SHIK-ut. Ku ishit ju? Ku ishit? Kjo nuk është Shqipëria që duam, kjo nuk është as politika që duam. Ky nuk është morali që ka sot nevojë shoqëria. Po nëse ka një problem me median e lire - hajde bujrum le ta flasim. Këtu jemi të gjithë. Mes jush ka gazetarë, që kanë qenë gazetarë dhe sot politikanë profesionist dhe mund të flasim ditë natë për lirinë e medias.

Askush nga ju nuk e ka të drejtën të drejtojë gishtin dhe të bëjë moral për lirinë e medias.

Ju kam dëgjuar shumë, muaj të tërë, intesivisht për problemin e kultivimit të paligjshëm të kanabisit. Nuk kam merakun tim. E kam pranuar që ditën e parë të detyrës. Mund të më quani edhe narkotrafikant, skafist dhe bandit. Nuk ka problem. Fundja e ka pranuar si kosto të natyrshme të kësaj politike kaotike dhe banale që bëhet në Parlament.

Por përtej kësaj ka disa të dhëna konkrete, kokëfortë, të qarta të cilat janë më të mëdha se ֭çdo shpifje e juaja. Partnerët italian në një konferencë për shtyp, iu a thanë fare qartë. Sot kultivohet më pak sesa kultivohej kur ju ishit në detyrë. Kur ju ishit në detyrë. Dhe nëse kur ju ishit në detyrë policia shkatërronte 7% sot për të tretin vit me radhë shkatërron mbi 99%.

Nëse kur ju ishit në detyrë Departamenti i Amerikan i Shtetit e cilësonte problemin e drogës shumë të madh sot DASH cilëson punën e Policisë shumë të madhe për ta shkatërruar këtë fenomen.

Kur keni dëgjuar prej nesh të mburremi në këtë parlament apo të zinim dhe foltoren që ky problem nuk ekziston? Ky problem ekziston.

Unë nuk fshihem dot pas gishtit. Askush nga ne nuk e ka bërë. Ky është një problem që ekziston. Ndonëse më i vogël se koha kur qeverisnit ju. Ndonëse shteti dhe policia është pas për ta zgjidhur në një mënyrë definitive këtë problem. Por ky problem ekziston. Jemi ne të parët që e pranojmë.

S’po bëni ndonjë nder publik në qoftë se po thoni që kemi një problem. E përsëris, ndonëse më të vogël sesa koha kur qeverisnit ju dhe ndonëse policia shkon dhe shkatërron mbi 99% për të tretin vit radhazi.

Cili është “kanabistani”? Kujt Kolumbie i referoheni, kur flisni për Shqipërinë si Kolumbi? Kush janë kolumbianët në këtë vend? Kush janë trafikantët në këtë vend? Hajde bëjmë një debat. Se ata shqiptarë që ju i quani kolumbianë dhe trafikantë, që varfëria i ka çuar t’i drejtohen kësaj rruge të shpejtë për të fituar ca para, për mua nuk janë kolumbianë! As trafikantë! Për mua janë ca shqiptarë, që qeverisjet e 20 viteve i kanë lënë në varfëri.

Dhe sot varfëria i çon në ngasjen për të gjetur një rrugë të shpejtë, për të bërë ca para të shpejta! Dhe ata shqiptarë që shkojnë të punojnë në këtë sipërmarrje të paligjshme, i kuptoj dhe nuk janë siç thoni ju, as kolumbianë dhe as trafikantë! I ka gjunjëzuar papunësia në 20 vitet e kaluara. Papunësia dhe varfëria e 20 viteve të kaluara. Dhe sot me të drejtën e tyre shkojnë kërkojnë një rrugë të shpejtë për të bërë ca para të shpejta, por nuk janë ata, as kolumbianët, dhe as trafikantët.

Kolumbianët e vërtetë, xhanëm ç‘kolumbianë! Trafikantët e vërtetë në këtë vend, janë ata që kanë qeverisur në këtë vend, në dy dekadat e kaluara! Dhe që në këtë vend kanë mbjellë varfëri, papunësi, pabarazi, padrejtësi! I kanë lënë shqiptarët me 1000 halle mbi kurriz. Dhe sot nuk i jep kurrkush shpresë që në këtë vend mund të zgjidhet diçka.

Kush i gjykon?! Ju i gjykoni për varfëri! Ju i gjykoni për pabarazi? Për cilën varfëri flisni ju? Ne në parlament kemi biseduar, në media kemi parë sesi djemtë dhe vajzat e kryeministrave, merrnin 3 përqindësh për “fee” suksesi! “Suçess fee”...

Nuk e di unë fare se si quhet djali i kryeministrit Majko! Nuk i njeh njeri djemtë e ish-kryeministrit Meta, të Bashkim Finos e Ylli Bufit, e Leka Meksit, të kujtdo!

Nuk i njeh njeri fëmijët e këtyre, po si ka mundësi vetëm fëmijët e Saliut njihen?! Si ka mundësi vetëm fëmijët e Saliut tregohen me gisht emër e mbiemër. Shqiptarët iu flasin me shkurtim Xeni dhe Gita! Si ka mundësi që ndodh kjo?! Ka mundësi pra. Ka mundësi se nuk merrej vesh se ku mbaronte familja e ku fillonte pushteti.
Ka mundësi se firma e babait ishte si përkëdhelje prindërore dhe për biznesin e djalit dhe të vajzës! Ja pse ka mundësi. E për këto nuk ka mbajtur kurrkush, kurrë, përgjegjësi!

Kush nga ju mund të çohet këtu të thotë sa herë ka vajtur djali i Sali Berishës në prokurori të përgjigjet për ato që ka bërë?! Ose për dyshimet, ç‘rëndësi ka, për dyshimet! Pse nuk keni gojë tani, po rrini kështu? Pse nuk përgjigjeni? Pse nuk përgjigjeni sa herë ka vajtur djali i Sali Berishës në Prokurori? E di pse nuk përgjigjeni? Sepse ju jeni më të ndershëm se ai. Ju që jeni këtu të paktën, jeni më të ndershëm se ai. Fëmijët tuaj nuk janë si fëmijët e atij, prandaj nuk flisni dot. Prandaj nuk përgjigjeni dot, sepse edhe ju e dini që njolla e turpit në këtë vend për qeverisjen tuaj 8 vjet, është fiks ai njeriu që del flet këtu. Dhe ju jeni të detyruar ta mbroni!

E rëndësishme është ta kuptoni dhe ta kuptojmë të gjithë se nuk i bëni nder kurrkujt në qoftë se paguani shkrime nëpër ca gazeta, poshtë e lart nëpër botë duke quajtur Shqipërinë, Kolumbi apo financim për terrorizmin. Apo shqiptarët, kolumbian. Nuk i bëni nder kërkujt.

Unë kujtoj se si Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm i asaj kohe shkonte në Lazarat dhe falënderonte lazaratasit meqenëse ishte Dasho Aliko me bandën e tij për kontributin e tyre në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Ka qenë 24 maj 2010. Unë nuk falënderoj dot “Dashot”.

Unë falënderoj punonjësit e Policisë së Shtetit të cilët rropaten dhe sakrifikojnë shëndetin dhe jetën për bërë atë që ju as e keni imagjinuar kurrë jo më ta bënit. Të pastrojmë Shqipërinë nga një sëmundje që e kemi trashëguar prej jush.
Sot Shqipëria i ka mbi kurriz trafikantët që e kanë lënë këtë vend të gjunjëzohet për varfëri dhe për papunësi, për pabarazi dhe padrejtësi.

Sot Shqipëria i ka ende në kurriz ata që pasuroheshin vet duke varfëruar shqiptarët dhe sot po ju i quani kolumbian dhe trafikant ata që varfëria që mbollët ju, papunësia që mbollët ju, pa pabarazia dhe padrejtësia që mbollët ju, i detyroi që të shkojnë fushave dhe të punojnë në një sipërmarrje të paligjshme.
Bujrum hajde ta zgjidhim bashkë që Shqipëria të jetë me e denjët, më e drejtë, më e barabartë, pa ekstremizma social dhe shoqëror të ketë më shumë mirëqenie të ketë më shumë punësim.

Bujrum hajde zgjidhim bashkë por bëni një premtim: lëreni Shqipërinë rehat të paktën sot që jeni në opozitë, lëreni mos e nxini faqen nëpër botë me Kolumbi e kolumbianë, me trafikantë e financim të terrorizmit, lëreni se ky është turpi juaj!

E kam edhe me ty zonjë që shkove atje dhe flisje atyre grave të PPE-së sikur po flisje me Forumin e Partisë në Kamëz.
Kjo është mënyra e vetme për të punuar bashkë, ju duhet të bëni një zgjidhje definitive o me Policinë e Shtetit o me bandat dhe kriminelët, o me shtetin dhe Policinë e Shtetit, o me ata që shkelin ligjin.

Po ndajeni mendjen me kë jeni, se deri sot keni sulmuar vetëm Policinë e Shtetit. Dhe kur ta ndani mendjen, ne jemi tërësisht të hapur të punojmë me ju dhe t’i ndajmë sukseset dhe rezultatet e punës tonë bashkë me ju. Deri atëherë ndani mendjen.


Shtuar më 13/10/2016, ora 16:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori