I riu vetëplagoset në tualetin e lokalit, por policia arreston vëllanë
Ditën e djeshme tre persona janë ndaluar nga Policia e Tiranës në lidhje me tentativën e vetëvrasjes që ndodhi në një lokal në zonën e Vishnjës, ku një 28-vjeçar u plagos me armë zjarri në kokë.

Ata akuzohen për kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe moskallëzim krimi. Personat e ndaluar janë vëllai i të plagosurit e një shok i tij, si dhe pronari i restorantit ku ndodhi ngjarja.

Nga ana tjetër, policia tha se i është komunikuar arrestimi në ambientet e Spitalit Ushtarak edhe 28-vjeçarit Fation Llusha, i cili vijon të jetë në gjendje kritike për jetën. Policia tha dje se në orën 02:30 u arrestua në flagrancë shtetasi Fation Llusha, 28 vjeç, banues në Durrës, me akuzën e armëmbajtje pa leje.

Po ashtu u ndaluan shtetasit Arjan Çeliku, 37 vjeç, banues në Tiranë, dhe Genci Zela, 47 vjeç, banues në fshatin Vishnjë, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, si dhe u referuan materialet në prokurori për shtetasin Klodian Llusha, 36 vjeç, vëllai i të plagosurit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, rreth orës 14:00 të së hënës, në fshatin Vishnje, te restoranti në pronësi të Genci Zelës, në tualetin e lokalit, Fation Llusha është vetëplagosur në kokë me armë zjarri, një pistoletë tip “Ekol”, të cilën e mbante pa leje. Aktualisht, ky person ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Shtetasi i ndaluar, Arjan Çeliku ka kryer veprime në pengim të zbulimit të së vërtetës duke pastruar mjetin tip “Benz”, me targë AA 791 DI, në pronësi të Klodian Llushës, të përdorur gjatë dërgimit të të plagosurit në Spitalin e Traumës.
Policia mbërriti me vonesë në vendin e ngjarjes, për shkak se asnjë prej personave të pranishëm nuk e lajmëroi policinë në kohë, por preferuan ta dërgonin vetë në spital. Policia është lajmëruar nga personeli i spitalit në orën 15:30, pra 1 orë e gjysmë pasi kishte ndodhur ngjarja, në kohën kur është paraqitur i plagosuri për të marrë ndihmën mjekësore.

Kjo ka sjellë dyshime për grupin hetimor që ka nisur menjëherë verifikimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Personat e ndaluar kanë deklaruar se ndodheshin në lokal për një drekë, ku kishin konsumuar shumë alkool.

Në një moment Fation Llusha ishte çuar nga tavolina dhe ishte futur në tualet. Në atë kohë është dëgjuar krisma e armës. Policia tha se gjeti në tualetin e lokalit pistoletën me mbishkrimin “Ekol”, 1 krehër, 2 fishekë e 1 gëzhojë. /albeu.com/

Shtuar më 10/05/2017, ora 16:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori