I perjashtojne "Deputetet e Kacanikut"!
Albeu.com
Sa është e madhe fuqia e injorimit apo mohimit? Këtë do ta provojnë edhe një herë ish-deputetët që shpallën Republikën e Kosovës më 2 korrik 1990, dhe në shtator të atij vitit miratuan Kushtetutën e Kosovës së pavarur, e ...... njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, dhe po me këtë nofkë u njohën edhe këta deputetë.
Ligjvënësit e mandatit të shkuar, nuk kishin pranuar që t’ua bënin këtë mohim pararendësve të tyre. Ata në Ligjin për privilegje, mandate dhe imunitete u kishin dhënë pozitë të barabartë respekti, sikurse vetes së tyre. Por, ky ligj nuk kishte marrë miratimin e Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, PSSP-së, kështu që ai u rikthye për miratim së bashku me shumë ligje të tjera.
Duket se ndër ndryshimet e pakta, që do t’i bëhen Ligjit, është heqja e privilegjeve të deputetëve të viteve të ‘90-ta, me arsyetimin e disave se do të hartohet ligj i veçantë për ata deputetë.
Derisa zyrtarët e partisë në koalicion, PDK, nuk pajtohen që në Projektligjin për mandate dhe imunitetet të përfshihen edhe deputetët e viteve të 90-ta, partia në koalicion, LDK-ja dhe partitë tjera opozitare, por edhe ish- deputetët e paraluftës, mendojnë se të drejtat dhe benefitetet me këtë Projektligj duhet t’i gëzojnë edhe deputetët e viteve të ‘90-ta.
Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit Kuvendar për Legjislacion dhe Gjyqësi, bën të ditur se ky Ligj nuk ka pësuar ndryshime rrënjësore. “Ajo çka është ndërruar nga ligji paraprak është shkalla e pensioneve, ngase tani është ulur shkalla dhe është ndarë në tri kategori. Për një vit legjislaturë deputeti do të gëzojë 50 për qind pension nga paga bazë, kemi një ulje prej 15 për qind, kurse për tri deputetin në tri legjislatura kemi paraparë që shkalla e pensionit të jetë 70 për qind e pagës bazë”, thotë Hyseni. Sipas tij projektligji tashmë është ndryshuar dhe ka shkuar në Kryesi të Kuvendit, por thotë se për procedim të mëtejshëm mbetet deklarata financiare. “Ne si komision e kemi proceduar në Kryesi, janë disa pengesa të deklaratës financiare sepse në kohën kur është aprovuar ligji është lëshuar një deklaratë financiare, por tani duhet të kemi një tjetër deklaratë”, thotë Hyseni. Sa i përket njohjes së privilegjeve të deputetëve të viteve të ‘90-ta, Hyseni thotë se ende nuk dihet se si do të vendoset.
Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, thotë se Ligji në fjalë është kthyer për ndryshime me kërkesë të disa organizmave ndërkombëtarë dhe për shkak të mosdefinimit të qartë të kostos financiare të tij. Ai kundërshton pohimet e deputetit Hyseni, se Projektligji i privilegjeve është proceduar në Kryesi. Ndërsa, sa i përket përfshirjes së deputetëve të viteve të ’90-ta në Projektligjin për mandate dhe imunitete të deputetëve Haliti, mendon se ata nuk duhen përshirë në këtë Projektligj. “Dua të jem realist dhe mendoj se ata nuk duhet të përfshihen në këtë ligj sepse mandatit të viteve të ’90-ta, do të duhej t’iu shtoheshin edhe disa mandate, të cilat nuk kanë qenë të përshirë në mandatin e viteve të ’90-ta, dhe funksionimi i këtij Kuvendi, ka qenë më shumë formal dhe jo funksional”, thotë Haliti. Ai thotë se duhet të bazohen edhe në fakte, në dokumente si ka funksionuar dhe a e ka pranuar kush këtë Kuvend të viteve të ’90-ta. Ai mendon se funksionalizimi zyrtarë i këtij Parlamenti, do të duhet të dokumentohet. Haliti vlerëson se krahas deputetëve të viteve të ’90-ta do të duhej të marrin statusin politik të veçantë edhe zyrtarët e Këshillit të përgjithshëm të LPK-së.
Ismet Beqiri, deputetë i LDK-së, thotë se me Projektligjin për privilegje, mandate dhe imunitetet duhet të rregullohet edhe statusi i deputetëve të viteve të ’90-ta , ’92-ta dhe ‘98’ta. “Mendoj se kjo kategori e deputetëve duhet të përfshihet normalisht, sepse është e qartë se krijimi i shtetit ka filluar shumë më herët. “Ne jemi ata që kemi pasur privilegj që ta nënshkruajmë Deklaratën e Pavarësisë, por nuk do të thotë se të tjerët nuk kanë qenë legjitim, përkundrazi”, thotë Beqiri.
Adem Salihaj, nënkryetar i LDD-së, vlerëson se neglizhimet për miratim të Projektligjit për mandate dhe imunitete janë për shkak se pushtetarët aktual duan ta injorojnë periudhën e para luftës, atëherë kur ka ekzistuar Kuvendi. “Sigurisht se duan ta injorojnë periudhën e paraluftës kur ka ekzistuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve dhe mandatin e vitit 1990, kur një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës shpallën deklaratën kushtetuese, të dy këto mandate janë të përshirë në atë ligj dhe sigurisht PDK-ja, që tash është në pushtet, mundohet që ta injorojnë këtë apo ta heq nga ligji”, thotë Salihaj. Ai kundërshton idenë, që të hartohet ligj i veçantë për deputetët e viteve të ‘90-ta duke e quajtur atë si një mashtrim sa për t’i hequr ata nga ligji si është miratuar më herët. Xhylnaze Syla, thotë se përkujdesa për deputetët e viteve të ‘90- ta, duhet të bëhet pa tjetër dhe kjo në mënyrë institucionale. “Në mandatin e kaluar kur është bërë propozimi për përgjegjësit e deputetëve ka qenë ë paraparë që në këtë ligj të definohen edhe të drejtat e deputetëve të viteve 90 dhe mendoj se kjo çështje duhet të definohet në mënyrë ligjore”, thotë Syla. Ajo nuk e përjashton që kjo kategori të ketë përkujdesje institucionale mbase edhe me një ligj të veçantë.
Ramadan Kelmendi, njëri nga ish deputetët që e shpallën Republikën e Kosovës dhe miratuan Kushtetutën, dhe anëtar i Komisionit për Kushtetutën e tanishme, thotë se deputetët e viteve të ‘90-ta duhet të gëzojnë privilegjet e njëjta me ato të deputetëve të tanishëm. “Pra, duhet të jenë të përfshirë në ligjin për mandate dhe imunitetet për faktin se ata ishin të sakrifikuar në një moment të caktuar historik e politik të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë Kelmendi. “Ne dëshirojmë që vlerat historike në procese historike të jenë reale, të vërteta dhe të njihen ashtu siç kanë rrjedhë”, shprehet Kelmendi. Ai nuk mendon se është reale dhe e drejtë nëse një deputeti në legjislaturat e pas luftës i njihen të drejtat dhe benificionet qoftë i ardhur edhe me tri vota, e të mohohet e drejta e atij deputeti i cili për tetë vjet ka jetuar në ekzil dhe para tankeve të Serbisë, ka shpallur Deklaratën Kushtetuese. “Nëse nuk do përfshihen në projektligj deputetët e viteve të ’90-ta , kjo jo që nuk është drejtësi, por nuk krijon kontinuitet politik të shtetësisë së Kosovës. Është një grup i vogël brenda deputetëve, që nuk dëshirojnë ta njohin atë vlerë historike dhe politike”, thotë Kelmendi.
Shumë nga ata deputetë të njohur si të Kaçanikut, nuk jetojnë më. (Shqipe Osmani, Bota Sot)
Shtuar më 13/04/2009, ora 05:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori