I çmendur, psikopat, shpifës, plas sherri mes Shkëlzen Berishës dhe Ballës (VIDEO)
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ditën e djeshme u paraqit për herë të parë në mbledhjen e Komisionit Hetimor për çështjen “CEZ”. Ai nuk ka pranuar dje të betohet para Taulant Ballës, duke e quajtur atë si “shpifës” të dënuar me vendim gjykate.

Balla disa herë ka kërkuar që Shkëlzen Berisha të pranojë të betohet, por ky i fundit ka deklaruar se ishte i gatshëm të dëshmonte para të gjithë deputetëve të PS-së, përveç Ballës.
Mbledhja është shoqëruar me tone të larta, teksa deputetja e PD-së, Liljana Elmazi, është hedhur në mbrojtje të dëshmitarit, duke e quajtur Ballën si “të çmendur” dhe “psikopat”.

Kryetari i Komisionit e ka mbyllur mbledhjen, duke thënë se dëshmitari do të paraqitet sërish, deri kur të pranojë të betohet.

REPLIKAT NË KOMISION

Taulant Balla: Pra, dëshmitari duhet të betohet se “do të them të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë”. Pas kësaj, dëshmitari betohet dhe tregon gjeneralitetet. Shtype butonin se nuk dëgjohesh.

Shkëlzen Berisha: Unë nuk fola. Çfarë i do gjeneralitetet?

Taulant Balla: Betohu dhe thuaj gjeneralitetet.

Shkëlzen Berisha: Gjeneralitetet i ke te vendimi i gjykatës, te padia ime, ku ti je i dënuar për shpifje.

Taulant Balla: Zoti dëshmitar, nuk ke ardhur këtu të bësh teatër!

Shkëlzen Berisha: Mund të vish t’i marrësh të gjitha këto padi.

Taulant Balla: Pse nuk e lini dëshmitarin që të flasë?

Liljana Elmazi: S’e lë ti, le nam…

Taulant Balla: Se ti vetëm bërtet, ababa… Zoti dëshmitar bëni betimin.

Shkëlzen Berisha: Betimi nuk bëhet para një të dënuari për shpifje.

Taulant Balla: Si? Ouu… Nuk bëni ju betimin?

Shkëlzen Berisha: Ndaj teje?! Para një shpifësi, jo!

Taulant Balla: Pse, edhe këta (anëtarët e Komisionit) janë të dënuar për shpifje?

Shkëlzen Berisha: Ti je kryetar i seancës, çohu prej andej se je i dënuar për shpifje.

Liljana Elmazi: Çohu Ulsi zëvendësoje…

Taulant Balla: Zoti dëshmitar, nëse nuk bëni betimin

Shkëlzen Berisha: Je në konflikt të hapur interesi.

Taulant Balla: S’kam konflikt interesi as me ty, as me babain tënd.

Shkëlzen Berisha: S’je në konflikt interesi me mua? Ti je i dënuar me vendim gjykate për shpifje.

Taulant Balla: Unë jam këtu për të zbardhur një prej privatizimeve më të rëndësishme të vendit tim, nga i cili më rezulton se janë vjedhur shumë para.

Liljana Elmazi: Ti je një i çmendur, psikopat!

Taulant Balla: Nëse ti nuk pranon të bësh betimin, dëshmia jote nuk vlen dhe ti do të largohesh prej këtu. Do të bësh betimin zotëri?

Shkëlzen Berisha: Nuk bëj betim në asnjë rast para një shpifësi. Në qoftë se ti dëshiron të vërtetën, çohu dhe lër një nga kolegët e tu të marrë betimin.

Dhurata Çupi: Ju duhet të jepni dorëheqje nga Komisioni për këtë dëshmi, nëse ju intereson të dini të vërtetën.

Taulant Balla: Unë nuk jap dorëheqjen!

Dhurata Çupi: Zoti Koçi ka bërë kërkesën dhe ai të bëjë pyetjet.

Taulant Balla: Është hera e parë që një komision hetimor po u shkon deri në fund gjërave. Dhe unë e kuptoj fare mirë strategjinë për të mos dhënë deklarime para këtij komisioni. Edhe strategjia e dëshmia e dëshmitarit Sali Berisha ngjan me dëshminë e dëshmitarit të paraqitur sot.

Shkëlzen Berisha: Sepse kanë një shpifës përballë.

Taulant Balla: Nuk bëjnë betimin dhe deklarimi është i pavlefshëm. Edhe kur raporti përfundimtar u shkon institucioneve të tjera, deklarimi i dhënë nuk ka vlerë.

Arben Ristani: Mos bëj konkluzione, ai është i qartë fare, e do dëshminë. Mos drejto ti komisionin.

Taulant Balla: Zoti dëshmitar, do ta bësh betimin dhe të tregosh gjeneralitetet?

Shkëlzen Berisha: I dënuar, çohu dhe liro sallën sepse je në konflikt interesi.

Taulant Balla: Dëshmitari nuk bën betimin sepse ka frikë të dëshmojë para Komisionit.

Shkëlzen Berisha: Frikë ke ti që nuk çohesh prej andej dhe nga të gjithë deputetët kanë lënë të vetmin që ka konflikt interesi.

Taulant Balla: Dëshmitari do të thirret përsëri, derisa të bindet se para Komisionit betohesh dhe pastaj mund të bësh deklarimin. Këtu ndërpritet.

Shkëlzen Berisha: I dënuar je shpifësh dhe prapë shpifës do ngelesh, sikur 1 mijë herë të vij prapë këtu.

Taulant Balla: Këtu mbaron mbledhja./Albeu.com/
Shtuar më 02/02/2017, ora 08:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori