I kërkonin s*ks gruas që t'i kthenin makinën e sekuestruar, vihen në pranga dy policë
Dy punonjës të Policisë Rrugore në Tiranë janë arrestuar pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Ata i kanë kërkuar favore seksuale një gruaje në këmbim të makiinës së sekuestruar.

Ka qenë SPAK dhe SHÇBA që kanë ndaluar 2 punonjësit pas disa muajsh hetime me metoda speciale.

Sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të Prokurorit të SPAK, në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”, për punonjësit e Policisë:

– H.Z., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë;

– L.D., me detyrë Shef Seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative.

Nga hetimet e deritanishme është e provuar dhe dokumentuar procedurialisht se dy punonjësit, gjatë ushtrimit të detyrës në këmbim të dorëzimit të automjetit në pronësi të një shtetaseje të sekuestruar në cilësinë e provës materiale për një ngjarje ndodhur në shtator 2019, i kanë kërkuar përfitime të jashtëligjshme në formë rryshfeti dhe favore seksuale.

Ndër të tjera janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv. Hetimet vijojnë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Shtuar më 04/07/2020, ora 12:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori