I kerkojne me internet
Albeu.com
Policia e Kosovës kërkon tetë persona në mënyrë publike. Fotografitë e këtyre të shumëkërkuarve janë publikuar edhe në faqen zyrtare në internet. Vetëm Enver Sekiraqa, përveç Policisë së Kosovës, kërkohet edhe nga Interpoli.Vetëm tetë persona, Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim përmes faqes së saj zyrtare të internetit.

Këta të shumëkërkuar janë të dyshuar kryesisht për vepra shumë të rënda penale, të cilat fillojnë që nga vjedhjet e jashtëzakonshme, e deri te vrasjet.

Sipas policisë, në baza ditore ata marrin informacione të shumta, duke përfshirë edhe të dhëna për personat e shpallur në kërkim.

Por pavarësisht se këta të shumëkërkuar kanë kryer krime përafërsisht të të njëjtit nivel, vetëm njëri prej tyre ka fletë arrest ndërkombëtar.

Është i kërkuari Enver Sekiraqa, ndaj të cilit Policia e UNMIK-ut, përmes Interpolilit, është duke e kërkuar që nga viti i kaluar.

Zyrtarë të policisë tregojnë se nga qytetarët, ata marrin informacione për të kërkuarit, në mënyra të ndryshme, që fillon nga telefonatat e deri te patrullat në rrugët e vendit.

“Telefonatat në numrin 038 550 999 kalojnë direkt në Qendrën Operative në Drejtorinë e Përgjithshme, kurse konfidencialiteti është i garantuar”, thotë Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Përveç kësaj, forma tjetër e marrjes së informacioneve është edhe përmes postës elektronike, në të cilën zyrtarët e policisë thonë se kanë qasje vetëm tre persona.

“Njëri prej këtyre personave që ka qasje në e-mailin [email protected], i cili shërben për informacione të tilla, është vetë drejtori i përgjithshëm, Sheremet Ahmeti”, shpjegon Beka për Express.

Një mundësi tjetër, të cilën e shfrytëzojnë policitë e botës për të arrestuar të shumëkërkuarit, është edhe shpërblimi.

Megjithëkëtë, një formë e tillë në Kosovë është përdorur vetëm një herë, me rastin e arratisjes së shtatë të burgosurve nga burgu i Dubravës.

Në atë kohë, ishte komisari i Policisë së UNMIK-ut i cili kishte vënë në dispozicion 12 mijë euro shpërblim për atë që do të jepte informacione.

Tash, sipas Ligjit të Policisë së Kosovës, një e drejtë e tillë i takon drejtorit të përgjithshëm të saj, mundësi të cilën Sheremet Ahmeti ende nuk ka filluar ta përdorë.

Sipas zyrtarëve të policisë, së shpejti në faqen e tyre të internetit (www.kosovopolice.com) do të publikohen edhe fotografi e të dhëna për më shumë të kërkuar.


Rrahim (Rrahman) Avdullahu
Ky i shumëkërkuar ka lindur në vitin 1983 në Prishtinë dhe mban pseudonimin “Rrumiqi”. Në faqen e vet zyrtare policia nuk ka treguar se për çfarë kërkohet ky person.


Ilir (Ymer) AVDULLAHU
Ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe mban pseudonimin “Liza”. As për këtë person policia nuk tregon se për çfarë veprash kërkohet.

Amir Ismajl Sopa
I lindur në vitin 1978, ky person është arratisur rreth një vit e gjysmë më parë nga burgu i Dubravës, ku ka qenë si i burgosur. Policia ende nuk ka mundur ta arrestojë atë.

Lirim Jakupi
Ka lindur në vitin 1979 dhe është i arratisur gjithashtu nga burgu.

Agron Ramadan Kryeziu
Është 30 vjeç dhe ka lindur në fshatin Pagarushë të Malishevës, por është banues në Prizren. Nga policia kërkohet nga viti 2007 për vrasje të rëndë.

Bedri Krasniqi
30-vjeçari nga fshati Turjakë i Pejës kërkohet për veprën penale të vrasjes.

Lukë Gjergj Kuzhnini
Është 24 vjeç nga fshati Smaq i Prizrenit, kërkohet nga viti 2007. Kuzhnini ka fletë arrest vendor nga Gjykata e Qarkut – Prizren dhe kërkohet për veprat penale të vrasjes, vrasjes në tentativë, lëndim të rëndë trupor, lëndim të lehtë trupor, mbajtje në pronësi, kontroll, në posedim ose shfrytëzim të armëve.

Enver Sekiraqa
35-vjeçari nga Prishtina, përveç nga Policia e Kosovës, kërkohet edhe nga ajo e ndërkombëtare e Interpolit. Sekiraqa kërkohet për krim të organizuar, krim ndërkombëtar, krime seksuale, vjedhje, krime kundër jetës dhe shëndetit. (Nga Jeton Musliu, express)
Shtuar më 20/04/2009, ora 18:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori