I kafshoi hundën gruas, vetëvaret në qeli Shkëlqim Hysa
Një i dënuar për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij është vetëvarur në qelinë e paraburgimit 302 në kryeqytet.

Shkëlqim Hysa është gjetur rreth orës 09:00 të mëngjesit të së enjtes i vetëvarur me çarçaf në qelinë e paraburgimit ku ndodhej që prej shtatorit të këtij viti.

Hysa ishte arrestuar dhe dënuar pas denoncimit të gruas së tij se gjatë ushtrimit të dhunës i kishte kafshuar edhe hundën.

Gjykata kishte dhënë masën “burg pa afat” për Shkëlqim Hysën, ndërkohë që mësohet se paralelisht me këtë proçedurë gruaja e tij kishte nisur edhe praktikën e divorcit përfundimtar.

Burime nga qelitë e paraburgimit 302 bëjnë me dije se Hysa nuk kishte pranuar të dilte si çdo mëngjes në dhomëm e ajrimit, duke përfituar nga koha, e duke i dhënë fund jetës me çarçafin e dhomës.

Me ta pikasur, atë e kanë nisur me urgjencë drejt spitalit por as kjo ndërhyrje nuk ka mundur ti shpëtojë jetën.

Vetëvrasja e Hysës në qelitë e burgut është një tjetër skandal që prek sistemin peritencial, kur presupozohet që duhet të jenë vende të sigurta për jetën e të burgosurve.

Shkëlqim Hysa është bërë i njohur dhe do të mbahet mend për një akt të padëgjuar më parë. Hysa dyshonte te tradhëtia bashkëshortore gjatë kohës që ai kishte emigruar në Greqi ndaj dhe kishte patur disa herë konflikte me të.

Kulmi arriti në ditët e para të shtatorit kur Hysa, pasi e ka goditur disa herë bashkëshorten e tij, i ka kafshuar edhe hundën duke ia këputur atë.

Pjesën e këputur, prokuroria e ka administruar si provë materiale, ndërsa ngjarjen e ka cilësuar si akt kanibalizmi.

Në gjykatë, Hysa tregoi se gruaja e tij e kishte tradhëtuar dhe se natën e sherrit ajo e kishte kërcënuar me thikë. Ai tha se në montente tensioni e kishte goditur atë dhe e kishte kafshuar.
Shtuar më 01/01/2015, ora 18:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori