Karamuço: Janë vjedhur edhe të dhënat e iranianëve në Manzë

Pedagogu i kriminologjisë Ervin Karamuco, i ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri ka folur për dëmin që i është shkaktuar sistemit shqiptar të të dhënave, që për të është më i rëndi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Megjithëse, sipas tij, dëmi do të rekuperohet nga autoritetet shqiptare, duhet pasur parasysh që janë hakeruar edhe gjurmët tona të gishtave, dhe këto të dhëna do të menaxhohen nga forca të fshehta, të cilat kanë pasur si qëllim kryesor destabilizimin dhe kaosin, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.

Karamuço: ‘Janë materiale shumë të rëndësishme, por duhet të ngremë shumë pikëpyetje dhe duhen shtuar masat e sigurisë të këtyre sistemeve dhe të mbështeten institucionet. Akoma sot nuk funksionojnë sistemi i gjobave dhe sistemi biometrik.

Gjithashtu, sipas ekspertit Karamuco ‘të dhënat e kampit të muhaxhedinëve në kampi Ashraf 3 në Manzë, janë marrë, këto të dhëna janë marrë, dhe dalim në konkluzionin që dëmi është shumë i madh, duhet trajnim i burimeve njerëzore shqiptare’.

Karamuço ka folur dhe për dominancën ruse jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Sipas tij, dominanca ruse ka qenë prej vitesh, dhe ka disa burime të cilat marrin informacione dhe publikojnë nga Russia Today. Partnerët kanë hapur kutinë e Pandorës, duke nxjerrë informacione, për të gjithë ata aktorë që kanë bërë lojë të dyfishtë dhe i kanë shkelur syrin e Rusisë’.