I fton Erion Veliaj por i pret Arbër Mazniku, Nisma "Për Publiken" braktis seancën (VIDEO)
Nisma "Për Publiken", e cila kundërshton ashpër ndërtimin e “Këndit të Lojrave” te Parku i Liqenit në Tiranë, ka braktisur seancën dëgjimore të sotme të organizuar nga Bashkia e Tiranës, pasi sipas tyre, prezent duhet të ishte Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili i ksihte ftuar dhe jo nënkryetari Arbër Mazniku.

Përfaqësuesit e Nisma "Për Publiken", kanë lexuar në sallë kërkesat e tyre, të cilat mund t'i lexoni në reagimin e tyre që gjendet më poshtë, ndërsa në videon e mësipërme mund të shihni momentin kur Nisma "Për Publiken" pasi lexoi kërkesat braktisi sallën, transmeton Albeu.com.

Ja reagimi i plotë:

Megjithë situatën e tensionuar e tri-javëve të fundit për çështjen e “Këndit të Lojrave” te Parku i Liqenit, vlerësojmë që më në fund që Bashkia ka kuptuar që është një institucion në funksion të publikut, dhe jo një kazermë që prodhon policë, që sillen brutalisht me protestuesit paqësorë.

Puna për rindërtimin e publikes është e gjatë dhe e vështirë, por ne nuk kemi se si mos të reagojmë ndaj një ftesë që shkon në interesin e përbashkët.

Duke qenë se problematika e komunikimit që Bashkia ka me publikun, është në nivel strukturor, dhe nuk ka të bëjë thjesht me informimin; por me transparencën, pjesëmarrjen e publikut në vendimarrje - mendojmë se ka nevojë për një kornizë fillestare që do shërbente si bazë serioze për të rifituar një komunikim të humbur, që do shërbejë dhe në punën e ardhshme të Bashkisë:

a. Hapi i parë që duhet të ndërmarrë Bashkia, është ndalimi i punimeve dhe nisja e procedurës për këshillimin me publikun.

b. I gjithë proçesi i dëgjesave me publikun, presim që të kryhet në besnikëri të plotë siç e kërkojnë ligjet në fuqi, sepse ne mendojmë se ky proçes nuk ka filluar asnjëherë.
(Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë - E Drejta e Informimit , neni 23 dhe 56 i saj. Konventa e Aarhusit, Ligji për infomimin në lidhje me dokumentat zyrtare nr 119, 2014. VKM nr 247, date 30,04,2014, si dhe akte të tjera ligjore dhe nënligjore në lidhje me këtë proces.

c. Përpara se të ulemi në debat, kërkojmë të kemi një dosje të plotë me dokumentacionin për “Këndin e Lojrave” dhe “Masterplanin për Liqenin”, me dokumenta teknikë, normative, administrative, që dhe ne të kemi bazën dokumentarë të plotë në kuadër të transparencës, dhe si bazë për të zhvilluar një debat të plotë.

d. Ftesa për debat të jetë publike në media, ku të ftohen të gjithë qytetarët, dhe të përcaktohet një kalendar diskutimesh, që do marrë të gjithë kohën e duhur që kërkojnë procedurat në fuqi.

e. Debati të kryhet për të gjithë “Masterplanin e Liqenit”, jo thjesht për “Këndin e Lojrave”, pasi ne mendojmë se interesi qytetar, shkon shumë më gjerë se sa thjesht “Këndi i Lojrave”.

f. Të na jepet mundësia që debati të zhvillohet në nivel qytetar, por dhe ekspertësh të shoqërisë civile, ku dhe ne të kemi mundësi që të prezantojmë vizionin, dhe propozime të mundshme alternative, të cilat sigurisht që do jenë të diskutueshme.
Shqetësimi ynë i parë, është që ky projekt nuk ka respektuar asnjë nga procedurat ligjore që në fillim, ne këto shkelje i kemi denoncuar sipas pretendimit tonë, dhe sigurisht që presim reagimet e institucioneve përkatëse.,po kjo nuk na pengon që pasi Bashkia të na ketë dhënë një dosje të plotë të dokumentacionit, të ulemi për të realizuar një nga hallkat më të rëndësishme të proçesit, që është konsultimi me publikun. /albeu.com/
Shtuar më 10/03/2016, ora 22:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori