Ironia “therëse” e Ronela Hajatit: Më e vështirë të fitoj festivalin e fundvitit, sesa Eurovizionin

Ronela Hajatin e kemi parë shpesh të marrë pjesë në festivale të ndryshme muzikore, por jo në festivalin e fundvitit. A e ka menduar ndonjëherë ajo të marrë pjesë në festival për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion? Në fakt, po, por ka diçka që e ka ndaluar.

E ftuar  në “Soiree”, Ronela rrëfeu se dëshiron shumë të shkojë në Eurovizion, por dyshon se Festivali i RTSH-së do ta shpallë fituese, duke thënë se më shumë gjasa ka të fitojë Eurovisionin sesa Festivalin e Këngës.

“Dëshira është shumë e madhe, sepse më pëlqejnë shumë skenat e mëdha dhe mendoj që unë jam e lindur për jashtë”,  tha ajo me të qeshur, duke shpjeguar se nëse po të shkonte, do të preferonte një këngë ritmike që i përshtatet më shumë natyrës së saj.

“Nëse unë do të shkoja ndonjëherë në festival, do shkoja me veten time, sepse atë dua të paraqes dhe nuk e shoh veten kurrë me baladë. Do doja shumë, por ndonjëherë më duket më e vështirë të fitoj festivalin e fundvitit, sesa Eurovizionin. Kjo është arsyeja që më ka mbajtur peng!”