I dënuari për marrje ryshfeti emërohet mësues gjimnazi
Partia Demokratike denoncoi sërish sot një rast të emërimit të një mësuesi në një gjimnaz edhe pse ai ishte dënuar për marrje ryshfeti në provime. Në një deklaratë për mediat, zëdhënsja Laura Vorpsi u shpreh se në gjimnazin Naim Frashëri në Fier, "rilindja" e Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion.

“Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë. Në gjimnazin Naim Frashëri në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion”, theksoi Vorpsi.

Sipas saj, Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime.

“70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë. Kjo pra është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona”, tha Vorpsi. /albeu.com/
Shtuar më 29/04/2014, ora 11:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori