I ati i Nazimes: Vajza s’është penduar, më tha do bëj 101 vite burg, mora hakun tim
Një vit kohë, duket se nuk ka mjaftuar për ta zbutur mllefin që familja e Nazime Vishës ka ndaj Fiqiri Muçës, 45-vjeçarit që vajza e tyre e qëlloi për vdekje me 29 plumba. Nazimja ndodhet prapa hekurave dhe po vuan dënimin me 15 vite burg për krimin e rëndë, por sipas të atit nuk ka shfaqur asnjë pendesë. “Nazimja nuk është penduar. Fiqiri Muça i shkatërroi jetën”, - tregon i ati, Beqiri.

Në një intervistë për “GSH”, Beqir Visha rrëfen se familja e tij përjetoi një prej viteve më të vështira, që përpos halleve dhe problemeve të rënda ekonomike, iu shtua dhe krimi i Nazimes. Një vit pas krimit të rëndë, Beqir Visha shprehet se “nuk do të dëgjojë më kurrë për familjen Muça”, pjesëtarët e së cilës i priti në shtëpi si miq, por i shkatërruan gjithçka. Babai i Nazimes flet për takimet në burg me të bijën, për dënimin që gjykata e Tiranës i dha atij për dëmtim pyjesh, si dhe bën një apel për drejtësinë...

Z.Visha, po mbushet një vit nga ngjarja e rëndë, ku vajza juaj vrau Fiqiri Muçën, mikun e familjes të cilin e akuzonte për abuzim seksual. Çfarë ndodh në familjen tuaj pas tronditjes së rëndë që pësuat?

Është e vërtetë, ky vit ishte tejet i vështirë për ne. Përpos halleve të tjera, për fat të keq na u desh të përballonim dhe këtë gjëmë. Ngjarja që na ndodhi neve, uroj të mos i ndodhë askujt. Ishte shumë e rëndë.
Tani pas kaq shumë ditësh, mendoni se mund të ishte parandaluar ngjarja e rëndë?
Ai (Fiqiri Muça) është sjellë keq me familjen time. Nazimes i shkatërroi jetën. Nëse vajza ime nuk do ta kishte vrarë, nuk di se si do kishte shkuar jeta e saj.
Pra, ju edhe pas kaq kohësh e përkrahni Nazimen në veprimin që ka kryer?

Po, sepse Nazimja vrau një njeri që i prishi jetën. Unë e pranova si mik në shtëpi dhe ai abuzoi me fëmijën tim. Nazimja vendosi vetë për jetën e vet. Sa për viktimën dhe familjen e tij, nuk dua të dëgjoj më. I pranova si miq, por miqësia jonë mori fund përgjithmonë.

Pra ju i keni bërë dalje edhe vajzës suaj, të cilën e keni të martuar me vëllain e Fiqirit?

Prej ditës kur ka ndodhur ngjarja, nuk kemi pasur kontakte me vajzën dhe me atë familje çdo gjë është e mbyllur. Nuk do të ulesha kurrë të bisedoja me ta.
Qoftë dhe për hir të vajzës suaj, nipërve, mbesave?
Si mund të quaj nipër e mbesa, gjakun e atyre që më prishën familjen?!
Pak javë më parë, gjykata e Tiranës ju ka dënuar me gjobë për dëmtim pyjesh. A mund të na shpjegoni pak çfarë ka ndodhur realisht?
Gjykata më ka dënuar me gjobë, për një dëm që nuk e kam shkaktuar unë. Masivi i druve ka qenë i Fiqiri Muçës. Unë punoja si druvar dhe ai transportonte drutë. M’i pati lënë në ruajtje. Jam gjobitur për një dëm të kryer nga tjetërkush. Gjykatës ia shpjegova të gjithë historinë, por prapë vendosi të më dënojë me gjobë.
E keni apeluar vendimin?
Jo, nuk e kam apeluar, sepse kam shpjeguar në gjykatë se nuk kam kryer asnjë faj.

A do ta paguani gjobën që ju detyron gjykata?

Prej kohësh jam i papunë. Merrem me bujqësi dhe blegtori, në këtë mënyrë mundohem të mbaj familjen. Drejtësia e di fort mirë si qëndron e vërteta e gjobës sime.

Të kthehemi sërish te Nazimja. E keni takuar kohët e fundit?

E kam takuar rrallë, sepse jam larg dhe mundësitë ekonomike bëjnë të vetën. Kam edhe dy fëmijët e vegjël, që duhet t’u qëndrojmë pranë. Por, sa herë kam mundur kam shkuar te burgu e kam takuar.

A ka shfaqur pendesë, tani që ka mësuar që do të qëndrojë gjatë në burg?

Jo, nuk është penduar. Më ka thënë “do bëj 101 vite burg, por mora hakun tim”. Nuk është e vërtetë që Nazimja ishte e lidhur me Fiqiriun. Ai e mashtroi, e mori më qafë.

A keni ju një apel për drejtësinë, edhe pse pranoni që krimi që ka kryer Nazimja është i rëndë?

Të vendoset drejtësi. Vajza ime ka bërë gabim të rëndë, por nëse nuk do ta kishte kryer krimin, nuk dihet çfarë do të kishte ndodhur me të. Por, uroj që gjykatësit të mos flenë gjumë, siç ndodhi në Shkallën e Parë. Kur një fëmijë kërkonte mëshirë, gjykata flinte gjumë; do Zoti kjo nuk ndodh në Gjykatën e Apelit. /albeu.com/
Shtuar më 11/08/2013, ora 10:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori