Hyseni takon Clintonin
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka takuar të enjten Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. MPJ njoftoi se shefja e diplomacisë amerikane ka vlerësuar arritjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka takuar të enjten Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me të përfunduar ceremonia tradicionale e Mëngjesit të Lutjeve.

“Përkundër pranisë së madhe të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme që po merrnin pjesë në Lutjet e Mëngjesit, Sekretarja amerikane e Shtetit ka ndarë një kohë të mirë për takim me Ministrin Hyseni. Takimi ka qenë i mbyllur dhe është zhvilluar ‘në katër sy’ (tete-a-tete)”, thuhet në një komunikatë të MPJ’së.

Sipas komunikatës, në këtë takim, Ministri Hyseni dhe Sekretarja Clinton kanë biseduar gjerësisht për proceset në Kosovë dhe rreth Kosovës, “sidomos për njohjet, për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe për hapat që duhet të merren për të çuar proceset në Kosovë edhe më përpara”.

“Ministri e ka shfrytëzuar këtë takim për ta njoftuar Sekretaren Clinton me përpjekjet e mëdha që po bëhen për shtetndërtim. Por, gjithashtu, këtë takim e ka shfrytëzuar edhe për të ndarë disa nga brengat e Kosovës që lidhen me bashkëpunimin rajonal, me theks të posaçëm bllokadat që Kosovës po i bëhen në rrafshe të ndryshme, për të cilat Sekretarja e Shtetit kishte njohuri të thella”, vazhdon komunikata.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës po qëndron në Washington, ku ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale amerikane të Mëngjesit të Lutjeve.

“Ka qenë konstatim i përbashkët i të dy bashkëbiseduesve, Ministrit Hyseni dhe Sekretares Clinton, se ka pasur të arritura të shumta në shumë plane, dhe se duhet të vazhdohet me angazhime që ky përparim i bërë të çohet edhe më përpara”, thuhet në komunikatën e MPJ’së, lëshuar pas takimit Hyseni-Clinton.

“Në këtë rast, Ministri Hyseni e ka ftuar Sekretaren Amerikane të Shtetit që të vizitojë Kosovën, ftesë të cilën Sekretarja Clinton e ka pranuar me kënaqësi. Vizita e Sekretares Hillary Clinton pritet të realizohet gjatë këtij viti”.

Po sot, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës është takuar me ambasadorët e shteteve të Komunitetit të Karaibeve (CARICOM), të akredituar në Washington. Hyseni ka ripërsëritur thirrjen e tij drejtuar këtyre shteteve për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe është njoftuar nga disa prej ambasadorëve se shtetet e tyre janë duke e shqyrtuar njohjen.

“Në këtë takim, Ministri Hyseni ka pasur për qëllim të prezantojë dhe argumentojë nevojën dhe drejtshmërinë e aktit të njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe është përgjigjur në interesimet e ambasadorëve”, bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ministri i ka njoftuar ambasadorët edhe me të arriturat e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, si dhe ka folur për rëndësinë e njohjeve në konsolidimin e mëtejmë të shtetit të ri, si në planin e brendshëm, ashtu dhe në atë ndërkombëtar, veçanërisht për rëndësinë që njohjet e reja kanë në anëtarësimin në organizma të ndryshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e MPJ’së.

Ministri ka marr sigurime nga ambasadorët se kjo kërkesë do të përcillet te kryeqendrat e tyre. (express)
Shtuar më 05/02/2010, ora 03:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori