Hyseni: Pas GJND-se, njohje edhe nga 35 vende
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, në emisionin “Sy më Sy” të RTV 21, ka deklaruar mbrëmë se ka marrë premtimin nga së paku 35 përfaqësues shtetesh se pas mendimit këshillëdhënës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Mund të them se bëhet fjalë për 35 shtete që kanë paralajmëruar njohjen e Kosovës. Unë nuk mund të them se kjo do të ndodhë menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, por kam marr premtimin e atyre vendeve se do të njohin Kosovën”, është shprehur ministri i jashtëm Hyseni për RTV 21.

Skënder Hyseni nuk ka përmendur se cilat janë ato shtete. Por, ka vlerësuar se diplomacia e Kosovës është e gatshme që nëse ndodhin këto njohje para Kuvendit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së të bëjë gati dokumentet e nevojshme për të vënë kandidaturën për anëtarësim në KB.

Hyseni poashtu i ka thënë këtij televizioni se Kosova ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me fqinjët e saj më të afërm, Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi.

Ai ka shfaqur gatishmërinë që këso marrëdhëniesh të ndërtojë edhe me Serbinë, por ka theksuar se pala serbe me probleme të shumta e pengesa po bën çdo gjë që të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në tubimet ndërkombëtare e rajonale.
Shtuar më 14/07/2010, ora 13:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori