Hyseni: Ne Sarajeve, vetem si te barabarte
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, takoi sot në Bruksel Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Stefan Fuele. Sikur thuhet në një komunikatë shtypi, shpërndarë medieve pas takimit, në një bisedë të hapur ...... dhe përmbajtësore, ministri ka folur me Komisionierin për Zgjerim për zhvillimet më të fundit rreth Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te perspektiva evropiane e Kosovës dhe te aspekte që lidhen me pjesëmarrjen e Kosovës në nisma dhe struktura rajonale.

"Në këtë kontekst, Minisri Hyseni ka folur për masat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë drejt zbatimit të kërkesave që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave, duke folur në veçanti për marrëveshjet për ripranim të personave dhe miratimin e legjislacionit përkatës".

Në këtë takim, Ministri Hyseni ka përsëritur qëndrimin se Kosova mund të marrë pjesë në samitin e Sarajevës vetëm si palë e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Pra, sipas formulёs sё aplikuar gjatё takimit tё ministrave tё jashtёm tё vendeve anëtare tё BE-sё dhe tё Ballkanit Perёndimor, që është mbajtur nё Pragё vitin e kaluar, e qё njihet si GYMNICH.

Të dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për proceset pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hyseni pritet nga Kouchner

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, është pritur mbrëmë në Paris në një takim nga homologu i tij francez, Bernard Kouchner, me ç’rast kanë biseduar lidhur me zhvillimet në Kosovë.

Pёrveç takimit kokë-më-kokë, tё dy ministrat kanё folur pёr gazetarёt dhe kanё pasur njё darkё pune.

“Ata kanё zhvilluar njё bisedё miqёsore dhe shumё pёrmbajtёsore pёr njё sёrё procesesh tё rёndёsishme nё dhe rreth Kosovёs, duke u pёrqendruar veçanёrisht te samiti i Sarajevёs, liberalizimi i vizave, procesi i njohjeve dhe bashkёrendimi i veprimeve nё periudhёn pas mendimit kёshillёdhёnёs tё Gjykatёs Ndёrkombёtare tё Drejtёsisё”, njofton MPJ, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Në lidhje me Samitin e Sarajevës, që planifikohet të mbahet me 2 qershor, ministri Hyseni riktheksoi se Kosova do të marrë pjesë vetëm sipas formulës së zgjedhur dhe aplikuar gjatë takimit të ministrave tё Jashtёm tё vendeve tё BE-sё dhe tё Ballkanit Perёndimor, mbajtur nё Pragё vitin e kaluar, e qё njihet si Gymnich.

Ky format do të siguronte pjesëmarrjen e Kosovёs si palë e barabartё me tё gjitha vendet e tjera qё marrin pjesё nё samit. “Çdo format tjetёr i pёrfaqёsimit ёshtё i papranueshёm pёr Republikёn e Kosovёs”, ka theksuar ministri.

Sa i pёrket liberalizimit tё vizave, Ministri ka pёrsёritur qёndrimin se do tё ishte gabim fundamental po qe se Kosova mbetet shumё mbrapa nё proceset e integrimeve nё raport me shtetet e tjera tё Ballkanit Perёndimor. Po ashtu, ka pёrsёritur kёrkesёn e tij qё Kosovёs t’i jepet sa mё parё njё udhёrrёfyes pёr liberalizimin e vizave.

Tё dy ministrat kanё folur edhe pёr nevojёn dhe rёndёsinё e bashkёrendimit tё aktiviteteve pas mendimit kёshillёdhёnёs tё Gjykatёs Ndёrkonbёtare tё Drejtёsisё, dhe nё kёtё kontekst, ata kanё folur edhe pёr procesin e njohjeve.

Gjatё qёndrimit tё tij nё Paris, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime edhe me ambasadorё tё disa vendeve tё kontinentit afrikan, qё nuk e kanё njohur ende formalisht shtetin e Kosovёs. Edhe në këto takime, pas një rezymeje që u ka bërë zhvillimeve dhe progresit që Kosova ka pasur nga pavarësia e këndej, ministri Hyseni u ka ripërsëritur bashkëbiseduesve kërkesën për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga vendet e tyre. (express)
Shtuar më 04/05/2010, ora 16:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori