Hyseni kerkon largimin e UNMIK-ut
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni gjatë fjalimit të mbajtur në selinë e OKB-së, ku u diskutua raporti për Kosovën, ka kërkuar edhe një herë përmbylljen e misionit të UNMIK. Duke folur për vendosjen e misionit të EULEX, Hyseni theksoi se ky mision është bërë tërësisht operacional që nga 6 prilli i këtij viti.

“Siç kam deklaruar në këtë forum në muajin mars, për arsye shumë praktike dhe pragmatike, ne kërkojmë përmbylljen e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut. Mbi bazat e zhvillimeve të vazhdueshme pozitive në Kosovë dhe vendosjen e plotë të EULEX-it, këtë kërkesë e ripërsëris edhe sot”-tha Hyseni para anëtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që zhvilloi punimet në Nju Jork.

Në fjalën e tij, Hyseni ka folur edhe rreth një sërë procesesh të tjera në Kosovë, duke përmendur këtu, zhvillimin e zgjedhjeve lokale në fund të vjeshtës, krijimin dhe miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dërgimin në Gjykatën e Hagës, të materialeve për mbrojtjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, etj. Duke folur për procesin e njohjeve, Hyseni tha se numri i shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dëshmon për përparimin dhe tabilitetin e shtetit të ri.

“Dëshiroj edhe njëherë të falënderoj përzemërsisht dhe t'ju shpreh mirënjohje popujve dhe qeverive të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mbretërisë së Bahreinit, Republikës së Gambias dhe Unionit të Komoreve për njohjen e pavarësisë së vendit tim. Ne i inkurajojmë të gjitha kombet e botës të përkrahin përpjekjet e popullit të Kosovës në ndërtimin e ardhmërisë së tyre si një vend i lirë dhe i pavarur. Pas dekadave të tëra të okupimit, terrorit dhe robërisë së papërshkrueshme, populli i Kosovës meriton të jetë i lirë dhe t'i bashkohet komunitetit të kombeve të lira dhe demokratike të botës”-tha kryediplomati kosovar.

Ai tha më tej se qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar shumë në çështjet e ekonomisë, drejtësisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e saj. “Integrimi i minoriteteve si dhe kthimi i të zhvendosurve ka vazhduar të mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë. Kryeministri Hashim Thaçi personalisht ju është qasur familjeve të kthyera serbe dhe janë ndarë fondet e Qeverisë për rindërtimin e shtëpive për të kthyerit”-vijoi Hyseni.
Shtuar më 18/06/2009, ora 15:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori