Hyn ne fuqi Rekomandimi per heqjen e vizave per Shqiperine dhe Bosnjen
Albeu.com
Sisilia Malstrom Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë përmes një konference për shtyp konfirmoi hyrjen në fuqi të Rekomandimit të Kolegjit të Komisionerëve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.Komisionerja tha se Shqipëria e Bosnja kanë bërë progres, por ka ende disa kritere pa plotësuar. “ Shqipëria duhet të zabtojë një strategji për riintegrimin e të riatdhesuarëve; po ashtu kërkohet zbatim efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; e po kështu zbatim efikas të ligjit të ri për konfiskimin e aseteve kriminale”, theksoi ajo.
“I takon PE-së dhe Këshillit të Evropës që të marrin vendimin final për liberalizimin e viza. Ky propozim është një lajm i mirë për shqiptarët e boshnjakët”, u shpreh ajo.

Edhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, Renzo Daviddi deklaroi se kjo shpallje është shenjë e qartë se i tërë rajoni po ecën drejt Evropës.


“Po ashtu është një shenjë pozitive për Kosovën, duke treguar se shpërblimet jepen në bazë të përpjekjeve të vërteta. Liberalizimi i vizave është një proces i cili merr kohë, por rasti i Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës tregojnë se edhe Kosova mund të bëjë progres sapo t’i plotësoj kushtet e nevojshme”, tha ai.

Sipas një njoftimi të Zyrës për informim të KE-së në Prishtinë, komisionerët Fuele dhe Malmstrom kanë rikonfirmuar kohëve të fundit se Komisioni Evropian është i përkushtuar të fillojë dialogun për viza me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur me kusht që të zbatohen reformat relevante.

Sipas këtij njoftimi, para se të mund të fillojë dialogu për vizat dhe të mund të hartohet një strategji për viza, Kosova duhet ta miratojë legjislacionin e saj për ri-pranim të shtetasve, të konsolidojë kapacitetin e saj administrativ për të shqyrtuar kërkesa për ri-pranim dhe të zbatojë një strategji efikase të ri-integrimit.

Në njoftim thuhet se Komisioni tashmë ka dërguar dy misione ekspertësh për ta vlerësuar situatën, një mision i tretë do të nisë punën së shpejti, ndërkaq rezultatet e këtyre misioneve do të përcaktojë nisjen e dialogut për vizat.
Shtuar më 27/05/2010, ora 13:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori