Hyn ne fuqi marreveshja per vizat me Turqine
Albeu.com
Ministria e Jashtme në Tiranë njofton se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për heqjen e vizave mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë. Ministria e Punëve të Jashtme informon se "Marrëveshja me shkëmbim ...... notash ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë dhe turq", nënshkruar me 20 nëntor 2009, ka hyrë në fuqi më 27 janar 2010.

Marrëveshja parashikon që shtetasit e të dy vendeve do të hyjnë në territoret respektive pa vizë dhe pa pagesë për në qëndrim 90 ditor brenda një afati 180 ditor.

Për qëndrim përtej këtij afati dhe për disa kategori të veçanta, Marrëveshja parashikon si mëposhtë:
1.Shtetasit shqiptarë dhe turq që duan të qëndrojnë më tepër se 90 ditë brenda 180 ditëve, duhet të aplikojnë për vizë në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendeve respektive.
2.Shoferët dhe ndihmësit e kamionëve e të autobusëve që transportojnë mallra dhe pasagjerë do të mund të hyjnë në Shqipëri dhe Turqi, pasi të jenë pajisur me vizë për këtë qëllim nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore.
3.Shtetasit shqiptarë dhe turq të emëruar me detyrë në përfaqësitë diplomatike, konsullore apo organizata ndërkombëtare, të akredituara në Shqipëri dhe që janë të pajisur me pasaportë diplomatike e zyrtare, gjatë kohës së detyrës, mund të hyjnë dhe të dalin në territoret respektive pa vizë. Kjo është e vlefshme edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes.
4.Shtetasit shqiptarë dhe turq që duan leje qëndrimi të gjatë, për qëllime specifike: studime, kërkime shkencore, montim, riparim, etj., duhet të pajisen me vizë përkatëse nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore.
5.Sipas proçedurës që ekziston, për shtetasit që do të hyjnë në vendin tjetër, në rast të konstatimit se këtij shtetasi i është ndaluar hyrja si dhe për ata shtetas që rezultojnë që nuk kanë kushtet e nevojshme ekonomike për të qëndruar në vend, nuk do t'u jepet leja e hyrjes.
6.Shtetasit shqiptarë që janë të pajisur me vizë pune ose tregtare, me një ose shumë hyrje dalje, përpara hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, në rast se dëshirojnë, mund të proçedojnë sipas vizës së lëshuar dhe vula e hyrjes do t'u vendoset në etiketën e vizës në pasaportë.
7.Shtetasit shqiptarë që kanë hyrë në Turqi me vizë, duke filluar që nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes 27 janar 2010, përfitojnë një kohë qëndrimi prej 90 ditësh brenda afatit 180 ditë.
Shtuar më 10/02/2010, ora 04:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori