Humb jetën ish-kryetari i njohur i demokratëve, një nga themeluesit e PD-së

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Vlorë, Genc Deromemaj ka dhënë sot një lajm të trishtë. Ai bëri me dije se sot ndërroi jetë një nga themeluesit e PD-së, ish kryetar i PD Vlorë Bedri Shaska.

Sakaq, ish-ministri socialist Arben Malaj, i cili aktualisht është pjesë e Partise Agrare Ambjentaliste, kundërshtar politik i tij në Vlorë, ka qenë ndër të vetmit politikanë të Tiranës që ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për familjen e të ndjerit.

“Një lajm i trishtueshëm. Ngushëllime familjes!! z. Shaska, si mësues i disa brezave dhe si kryetar i PD-së dega Vlorë i ka shërbyer demokracisë dhe Vlorës, me dashurinë e një mësuesi, me vuajtjet e një të përndjekuri politik dhe me forcën e integritetit dhe dashamirësisë”, – tha Malaj.

“E kujtoj dhe respektoj me mirënjohje z. Shaska sepse në ato momente të vështira të fillimit të viteve 90, si kryetar i partisë të parë opozitare, nuk e nxiti radikalizmin ndërpartiak, qetësoi tensionet e vështira dhe i qëndroi besnik bashkëjetesës paqësore dhe jo tensionimeve politike. U prehtë në paqe!!

Arben Malaj iu referua njoftimit të kryetari aktual të Degës së Partisë Demokratike në Vlorë, Genc Deromemaj:

“Të nderuar anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike,

Në emrin tuaj, kam detyrën e hidhur të njoftoj se sot ka ndërruar jetë një nga themeluesit e PD-së, ish kryetar i PD Vlorë, mësues i nderuar, pinjoll i një prej familjeve fisnike që i kanë bërë nder Vlorës në atdhetari e dije!

Ka lënë pas një trashëgimi pune e jete që bën krenarë familjen, miqtë e shokët e tij të shumtë! Punëtor, idealist i palodhur, i përkushtuar për vlerat e lirisë me veprimtarinë e tij në Partinë Demokratike, Bedri Shaska ishte shembulli i dinjitetit e i burrërisë! Ngushëllime për familjen! Qoftë i paharruar kujtimi i tij!”, – shkroi më herët Genc Deromemaj.
Shtuar më 09/10/2020, ora 22:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori