Hoxhallarët bëhen rezil për vaizin e xhumasë
Albeu.com
nga BEKIM BUÇI, LajmIncident në xhaminë “Qose Kadi” në Çarshinë e Vjetër. Myftiu Bislimi ka akuzuar imamin se nuk i ka dhënë fjalën për të filluar me ligjëratë, ndërsa Ibrahimi tha se s’ka qenë i njoftuar se në namazin e xhumasë do të marr pjesë myftiu.Pesëmbëdhjetë minuta para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë “Qose Kadi” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ka ndodhur një incident kur myftiu i Shkupit me persona tjerë të myftinisë, kanë larguar imamin e xhamisë Atulla Ibrahimin.
Shkas për këtë ngjarje të pahijshme ka qenë se ligjëratën (vaizin) është dashur të mbajë myftiu i Shkupit Taxhedin Bislimi, e jo imami i xhamisë Atulla Ibrahimi. Bislimi ka akuzuar imamin se nuk i ka dhënë fjalën për të filluar me ligjëratë, ndërsa Ibrahimi thotë se nuk ka qenë i njoftuar se në namazin e xhumasë do të marr pjesë myftiu. Myftiu i Shkupit Taxhedin Bislimi, në deklaratën për “Lajm”, e akuzoi imamin e xhamisë se gjatë Ramazanit ka qenë i padisiplinuar dhe jo i rregullt në punë. “Informacionet i kam marrë nga xhemati se ai herë vjen, e herë nuk vjen në xhami, ndërsa kur vjen, nuk e kryen detyrën si duhet. Një ditë më parë e paralajmërova se të premten do të jem mysafir i xhamisë. Ai hyri në xhami dhe nuk më jep fjalën. Fundja xhamia është e Myftinisë dhe në të nuk guxon dikush të ushtrojë detyrë pa pëlqimin e BFIM-së sepse kjo është pronë është e BFIM-së”, tha Bislimi duke shtuar se e drejta e tij është që në çdo xhami t’i kontrollojë imamët dhe ti sanksionojë imamët që nuk janë të rregullt. Imami i xhamisë Atulla Ibrahimi për “Lajm”, deklaroi se ky është një ndër incidentet e shumta që ndodhi nga kjo udhëheqësi e BFIM-së. Ibrahimi tha se nuk ka qenë i sulmuar fizikisht, por është ofenduar me fjalë të turpshme. Ai akuzoi kreun e BFIM-së se është instaluar në mënyrë të dhunshme dhe në mënyrë jo të ndershme. “Të premten myftiu dhe disa persona të myftinisë tentuan që në mënyrë të dhunshme ta marrin edhe legjitimitetin për ta marrë fjalën ashtu siç kanë ardhur në mënyrë të dhunshme. Unë veç më kur isha duke mbajtur ligjëratën e ditës së xhumasë Myftiu dhe disa persona të myftinisë hyrën papritmas dhe tentuan në mënyrë të dhunshme të më nxjerrin nga Mihrabi me çka edhe xhemati e pa rastin konkret i cili reagoi në mënyrë të ashpër kundër veprimit të tyre të pahijshëm”, tha Ibrahimi.
Ai thotë se nuk ka qenë i njoftuar se myftiu do të marrë pjesë në faljen e xhumasë. Në lidhje me akuzat se nuk është i rregullt, Ibrahimi thotë se ato janë krejt të pabaza, sepse në këtë xhami pos tij, është i angazhuar edhe një hoxhë. Ai edhe përkundër kësaj, do të vazhdojë punën në xhaminë Qose Kadi deri në ditën e Bajramit.
Një qytetar që kishte shkuar të falë namazin e xhumasë për “Lajm”, tha se ka parë disa njerëz të Myftinisë në krye me myftiun. “Deshën ta nxjerrin me forcë imamin Atullain. Unë nuk e pashë se çka ka ndodhur sepse nuk isha afër, por dëgjova kur i thanë çohu se ne jemi për të biseduar”, tha ai.
Shtuar më 07/10/2007, ora 19:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori