Nuk i lë batutat edhe kur dhuron gjak, Rama – mjekes: Sa herë ma ke “pirë”?

 Punonjësit e Kryeministrisë mes tyre edhe kryeministri Edi Rama kanë dhuruar ditën e sotme gjak, si një akt solidariteti njerëzor, duke ju bashkuar sloganit të Ditës Botërore të Dhurimit të gjakut 2022  “Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë”!

Kryeministri Rama një dhurues i rregullt i gjakut prej thuajse dy dekadash ishte i pari që dhuroi sot gjak në ndihmë të kategorive që kanë më shumë nevojë për të.

Vetë kryeministri Edi Rama e vunë theksin tek fakti se dhurimi i gjakut jo vetëm që nuk përbën rrezik, por i bën shumë mirë trupit.

Mjekja: Tani kemi filluar me institucionet, kështu që jeni fiks në kohën e duhur për të ndërgjegjësuar edhe institucionet që mos të tregohen indiferente. Duhet ta mësojnë që dhurimi i gjakut nuk përbën rrezikshmëri.

Rama: Përkundrazi.

Mjekja: I bën shumë mirë trupit, ne të dy e dimë shumë mirë këtë gjë.

Rama: Sa herë ma ke pirë gjakun? Sa vite kam?

Mjekja: Në bashki, nuk e di sesa herë…

Rama: Çdo ditë e kemi bërë.

Mjekja: Po. Tani është radha e institucioneve. Deri tani kanë qenë studentë, kështu që tani kam nevojë për institucionet.

Mjekja: I bën mirë të gjithëve, përveç atyre që kanë probleme shëndetësore

Në mjediset e bibliotekës në Kryeministri u instalua njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq Shqiptar, ku punonjësit e administratës së këtij Institucioni dhuruan gjak, akt i cili përveçse ndihmon në shpëtimin e jetëve të tjera, është edhe një proces i shëndetshëm për vetë trupin e dhuruesit.

“Duhet ta mësojmë që dhurimi i gjakut nuk përbën rrezikshmëri. I bën shumë mirë trupit. Kryqi i kuq ka bërë që çdo ditë të ketë dhurim gjaku dhe e kemi realizuar objektivin tonë.” – u shpreh punonjësja e Kryqit të Kuq, e cila drejtoi një thirrje ndaj punonjësve të institucioneve për t’ju bashkuar nismës si çdo vit.

Edhe këtë vit fushata sensibilizuese e dhurimit të gjakut synon të ndërgjegjësojë për rolin e rëndësishëm që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.