Hosni Mubarak pa pasuri në Shqipëri
Ish-Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak, familjarët e tij, ish-drejtuesit e lartë të qeverisë nuk rezultojnë të kenë pasuri apo prona në Shqipëri.


Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit e prokurorisë së Tiranës, të cilët me kërkesë të autoriteteve të drejtësisë së Egjiptit, kanë verifikuar nëse këta persona kanë investuar në Shqipëri.

Sipas listës së firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit mësohet se janë rreth mbi 230 emra, të cilët janë verifikuar në Shqipëri. Mes tyre ish-presidenti Mubarak që tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm, fëmijët e tij dhe zyrtarët e lartë të qeverisë 30 vjeçare të diktatorit të rrezuar.
Prokuroria shqiptare, ka administruar 8 letër-porosi të ardhura nga shteti i Egjiptit, të cilët kërkojnë hetimin pasuror të rreth 230 personave, të lidhur me pushtetin 30-vjeçar të regjimit Hosni Mubarak.


“Të identifikohen çdo lloj pasurie, thuhet në kërkese, duke përfshirë pasuri të luajtshme e të paluajtshme, të drejta e tituj pronësie, aksione e obligacione të shtetasve të ish-presidentit egjiptian dhe të familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me të, që ndodhet në këtë listë. Të identifikohen këto pasuri që dyshohet se janë produkt i një vepre penale të korrupsionit të ndodhur në shtetin e Egjiptit dhe më pas të vendoset ngrirja e tyre”, - thuhet në dosjen e firmosur nga Gjykata e Kajros.

Hetuesit e çështjes, brenda pak muajve kanë verifikuar në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, në Zyrat e Hipotekës dhe në Qendrën e regjistrimit të bizneseve dhe kanë konkluduar se asnjë nga këta persona nuk kanë llogari bankare, prona apo edhe biznese të regjistruara në Shqipëri. /albeu.com/
Shtuar më 18/02/2013, ora 15:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori