SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt, publikohet raporti i PS-së për ish-zv/kryeministrin

PS  i ka hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesës së tij.

Report TV ka siguruar dokumentin që përbëhet nga 14 faqe dhe në të përjashtohet mundësia që kërkesa e SPAK të ketë ndikim politik apo ndërhyrje.

“Gjatë shqyrtimit të kërkesës, nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë” thuhet në raportin e Komisionit.

Në fund deputetët rekomandojnë pranimin e kërkesës së SPAK.

“Deputetët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit, Z. Arben AHMETAJ”.

Deputetët që kanë firmosur raportin janë; Klotilda Bushka, Ermonela Felaj ( Valikaj), Klevis Xhoxhi, Arben Pëllumbi.