Kallashnikov, granata dhe kanabis, 1 i arrestuar në Krujë, 3 persona në kërkim (VIDEO)

Policia e Krujës ka finalizuar operacionin e koduar “Mali i Kuq” në kuadër të të cilit ka rënë në pranga një person ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit M. S., banues në fshatin Shkretë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. S., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç dhe A. S., 41 vjeç, të tre banues në fshatin Shkretë.

Këta shtetas kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Shkretë, në afërsi të banesës së shtetasit M. S. Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 21 granata luftarake sulmuese, 17 granata luftarake mbrojtëse, 40 ndezësa unifikues granatash dhe 5.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të kultivimit të 320 bimëve narkotike, të gjetura dhe të asgjësuara më parë nga Policia.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com.


Shtuar 22.08.2023 09:54