Komisioni i Etikës për përjashtimin e 8 deputetëve demokratë, shpërthen Vokshi: Vetëm pushkatimi ka mbetur , është turp

Sot u mblodh Komisioni i Votimit dhe Etikës në lidhje me përjashtimin e ligjvënësve demokratë për 10 ditë nga seancat plenare. Sipas socialistëve, deputetët e PD kanë penguar zhvillimet në Kuvend.

Përjashtim është kërkuar për Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianji, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati

Deputetja e PD-së Albana Vokshi në fjalën e saj tha se deputetët janë përfaqësues të popullit ndërsa sipas saj mazhoronca po kërkon të vrasë opozitën.

Ajo tha se vetëm pushkatimi ka mbetur, ndërsa theksoi se ajo që po bën PS e cila kërkon përjashtimin deputetëve të opozitës nga Kuvendi është turp.

Sipas saj, ka kaluar afati për të shqyrtuar kërkesën e PS dhe mbledhja është nul. Vokshi hodhi akuza ndaj deputetëve të Ramës duke u thënë se vijnë në mbledhje me urdhër të Edi Ramës dhe se duan t’i mbyllin gojën opozitës.

“Ju po kërkoni të na ktheni në monizëm. Deputetët janë përfaqësues të popullit, nuk përfaqësojmë vetëm ata që kanë votuar PD por të gjithë qytetarët shqiptarë. Ju po kërkoni që të vrisni opozitën, t’i mbyllni gojën opozitës, këtë po bëjmë dhe këtu. Kërkojmë që të vijnë mediat që na dëgjojnë, s’jemi në kohën e Enver Hoxhës. Vetëm pushkatimi ka mbetyr. Nuk keni nen në rregullore që thotë që mbledhjet të bëhen të mbyllura. Kjo mbledhje është nul. Nuk duhet të na kishit thirrur sot. Është turp. Përjashtimi i deputetëve është një akt i rëndë i parlamentarizmit”, tha Vokshi./albeu.com/