Hooper: Serbet dhe joserbet e Kosoves te trajtohen njesoj
Albeu.com
Anëtarët e Grupit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Politikave (PILPG) theksuan se autoritetet kosovare duhet të marrin një qëndrim më të balancuar lidhur me shpërndarjen e resurseve ndërmjet minoritetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.Komentet e tyre, ish-diplomatët amerikanë i bënë në fund të vizitës së tyre rreth dyjavore në Kosovë.

Kosova ka bërë progres të dukshëm lidhur me trajtimin e problemeve dhe shqetësimeve të minoriteteve; është një nga vendet që ka ndër ligjet dhe strategjitë më të mira për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve; megjithatë, implementimi i këtyre dokumenteve mbetet një ndër sfidat kryesore, thanë në një konferencë për media në Prishtinë përfaqësues të Grupit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Politikave (PILPG, The Public International Law & Policy Group).

Njëri nga tre anëtarët e këtij delegacioni, ish-diplomati amerikan, James Hooper, theksoi:

“Ashtu siç kemi vërejtur se ka progres të dukshëm, ne gjithashtu besojmë se është koha për më shumë zbatim. Kushtetuta ekziston, ligjet janë shkruar, studimet janë përgatitur, planet e veprimit janë të cilësisë shumë të lartë. Ajo që është e nevojshme tani, është më shumë zbatim i qëndrueshëm nga autoritetet në Kosovë, në mënyrë që të ketë më shumë progres në trajtimin e komuniteteve”.

Grupi, në përbërje të të cilit, përveç Hooperit janë dhe ish-diplomatët amerikanë, Luis Sell dhe Shaun Byrnes, ka lansuar një projekt në Kosovë, mbi kushtet në të cilat jetojnë pakicat kombëtare në vend.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, anëtarët e grupit vizituan disa qytete të banuara me pjesëtarë të pakicave joserbe dhe serbe, për t’u njoftuar për së afërmi me gjendjen e tyre në terren.

Hooper bëri të ditur se nga përfaqësues të këtyre minoriteteve u është thënë se ndihen të injoruar nga ana e institucioneve shtetërore. Lidhur me këtë, Grupi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Politikave adresoi një varg rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës.

“Ne rekomandojmë që autoritetet të marrin një qëndrim më të balancuar nga ai që ekziston tani, në shpërndarjen e resurseve ndërmjet pakicave minoritare serbe dhe joserbe”, u shpreh Hooper.

Grupi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Politikave theksoi po ashtu rëndësinë e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, gjë që, sipas këtij grupi, duhet të zbatohet në mënyrë adekuate dhe të saktë. Vizita e fundit e këtij grupi në Kosovë u realizua në vitin e shkuar.
Shtuar më 24/05/2010, ora 18:12
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori