Nëntë të vrarë nga sulmet masive ruse në Ukrainë, shumë zona pa energji elektrike dhe pa ujë

Rusia nisi një valë të re sulmesh ajrore kundër Ukrainës sot , duke vrarë të paktën nëntë persona dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në shumë zona, përfshirë termocentralin bërthamor Zaporizhia .

Ushtria ukrainase njoftoi se Rusia ka lëshuar 81 raketa dhe tetë dronë , kryesisht duke synuar objektet energjetike të vendit.

Në të njëjtën kohë, Moska përdori edhe gjashtë raketa hipersonike Kinzhal, të cilat nuk mund të përgjohen nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Megjithatë, të paktën 34 raketa dhe katër drone Shahed u kapën nha Ukraina.

“Ishte një sulm i madh dhe për herë të parë me kaq shumë lloje të ndryshme raketash . Armiku lëshoi gjashtë Kinzhal. Ishte e paprecedentë,” tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ikhnat.
Sulmet u zhvilluan në rajone të ndryshme të Ukrainës, duke përfshirë Kiev, Odessa, Kharkiv dhe Lviv.

Në provincën perëndimore të Lviv, pesë persona u vranë, ndërsa një tjetër vdiq në Dnipropetrovsk në Ukrainën juglindore.

Tre persona u vranë në një bombardim rus në qytetin Kherson (në jug) mëngjesin e sotëm, tha kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në një postim në Telegram. “Terroristët rusë bombarduan përsëri Kherson këtë mëngjes, duke goditur një stacion transporti publik,” tha Yermak, duke shtuar se “tre persona u vranë “.

Në kryeqytetin ukrainas, të paktën dy persona u plagosën, sipas kryetarit të qytetit Vitali Klitschko , i cili vuri në dukje se 40% e Kievit nuk ka ngrohje.

Guvernatori i Kharkiv, Oleh Sinekhubov, theksoi se qyteti u godit nga rreth 15 raketa balistike S-300 , të cilat gjithashtu nuk mund të përgjohen nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. “Armiku nisi rreth 15 sulme kundër qytetit dhe fshatit ”, tha ai në Telegram. “ Infrastruktura ishte sërish ndër objektivat” .

Nga ana e saj, kompania ukrainase Energoatom njoftoi se termocentrali bërthamor i Zaporizhzhya , i cili është nën kontrollin e trupave ruse në jug të Ukrainës, humbi lidhjen me sistemin elektrik të Ukrainës.

Sipas kompanisë, reaktorët e pestë dhe të gjashtë të centralit bërthamor janë mbyllur, ndërsa 18 gjeneratorë me naftë janë aktivizuar për të siguruar funksionimin bazë të centralit./AlbEu.com/


Shtuar 9.03.2023 10:55