Historiani zviceran: Edi Rama u shtiret europianëve si njeri i ndriçuar
Historiani dhe politologu zviceran Jens Schmitt e konsideron publikisht Edi Ramën si një demagog, që u shtiret europianëve si figurë e ndriçuar, ndërsa në atdhe qeveris me dorë të fortë.

Kështu deklaron ai në një artikull të titulluar “Nën presion”, të botuar nga gazeta kryesore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, mbi sundimtarët autoritarë në Ballkan dhe kontrollin antidemokratik të mediave nga pushtetarët e atjeshëm me autor Michael Martens. Sipas gazetës, në Shqipëri televizioni shtetëror nuk është në qendër të revoltës, por edhe aty gjendja nuk paraqitet aspak më e mirë.

“Ndër sunduesit autoritarë të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama ia ka dalë më së miri deri tani t’ia paraqesë ‘fshatrat e Potjemkinit’ publikut perëndimor. Ai prezantohet si artist alternativ, që qeveris parttime një shtet ballkanik”, thotë historiani i Europës Juglindore me bazë në Vjenë, Jens Schmitt. Sipas tij, “Brenda vendit, deri në protestat e studentëve, Edi Rama kishte ‘mbytur çdo kundërshtim me dorë të fortë e me kontroll të plotë të mediave'”.

Oliver Jens Schmitt është profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, që nga viti 2005. Ai është anëtar i Akademisë Austriake të Shkencave. Libri i tij “Skënderbeu, Aleksandri i ri në Ballkan”, një biografi kritike e Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkaktoi një debat të nxehtë në Shqipëri. Një gazetë kombëtare e përditshme zvicerane “Tages-Anzeiger”, botoi intervistën e Schmitt-it dhënë gazetarit Enver Robelli në Tiranë më 25 shkurt 2009, në të cilën theksohet se Schmitt pretendon se nëna e Skënderbeut, Vojsava, ishte serbe, një anëtare e familjes Brankovi? dhe se ndoshta mbiemri i Kastriotit rrjedh nga fjala greke kastron (fort).

Me këtë deklaratë, ndaj Oliver Jens Schmitt-it u ngritën kritika të forta, i cili po tentonte të anatemonte heroin tonë kombëtar. Ndërsa Ardian Klosi, i cili e përktheu librin e tij nga gjermanishtja në shqip, u akuzua për tradhti nga shumë kritikë. Gjeneral brigade Sandër Lleshi, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme, iu përgjigj librit të Schmitt-it duke parë në të gabime kronologjike, strukturore dhe logjike kryesisht, që kanë të bëjnë me temën e luftës mesjetare.
Shtuar më 20/03/2019, ora 16:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori