Historia nga diktatura e egër komuniste, si u dënua 13 vjet nga letrat anonime
Në komunizëm shumë qytetarë dënoheshin pasi denigroheshin përmes letrave anonime. Qytetari që shihni në këto pamje është Agron Luke. Letrat anonime i kanë kushtuar atij shumë shtrenjtë në periudhën e komunizmit.

“Kam vuajtur dënimin prej 15 vitesh burg politik, jam liruar në dhjetor ’90 me dekret”, tregon Agron Luke, ish i përndjekur politik.

Fillimisht, ai kishte një dënim prej vetëm 2 vitesh e gjysmë, por, i vunë në zbatim skenarin e letrave anonime.

“Kam qenë i dënuar për plagosje, kam qenë në repartin 311 Qafë Barit, në fillim u dënova dhe vajtja në Bartër. Meqë isha djalë i shkathët dhe kisha mendime të tjera si thonë këta, më bëjnë tre letra anonime, si e si të më dënonin politik”, tregon Agron Luke.

Qëllimi ishte qartë për hetuesit e Sigurimit. Po vihej në zbatim e njëjta metodë që ndiqej për shumë të burgosur të tjerë. Sapo arrestoheshin për ndonjë krim ordiner, gjendej forma për ti shpallur armiq të sistemit.

“Për të bërë një dënim akoma më të rëndë, nga ordiner, të më kalonin politik, më bënë këto letra anonime që unë as nuk i imagjinoja. Prej letrave më dënuan 13 vite. Sikur kisha thënë mos dëgjoni tv, se gënjen por mua, ose sikur kisha thënë që jeta më e mirë bëhej në Itali dhe jo këtu”, tregon Agron Luke.

Në kampin ku qëndronte për punë të detyruar pas dënimit të parë për plagosje, kishte edhe njerëz të rekrutuar të sigurimit të cilët sajuan edhe letrat për Agronin.

“Në kamp kishte njerëz që punonin me sigurimin, që i përdornin sipas qëjfit për tu dhënë një punë apo diçka më të mirë se sa vuanim ne në minierë, ata ishin të detyruar ta bënin. Këta i futi operativi i repartit. Kur më çuan në hetuesi më treguan letrat, jo u thashë sështë e vërtetë. Por në atë kohë ndaç prano ndaç jo ata të dënonin. Njerëzit për të fituar diçka, një vend pune apo diçka tjetër, apo për ti bërë keq dikujt që me zotësi e ka fituar një të mrië pune mundohen si e si ta shkatërrojnë duke dërguar letra anonime, kjo nuk është e drejtë, akoma ne në Shqipëri po me këto gjëra merremi”, tregon Agron Luke.
Shtuar më 17/04/2019, ora 21:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori