Historia e Universitetit te Prishtines, histori e Kosoves
Albeu.com
Themelimi i Universitetit të Prishtinës shënon një nga ngjarjet madhore në Historinë e Kosovës. Kjo u tha në mbledhjen e sotshme, në 40 vjetorin e kësaj ngarjeje, në të cilën merrnin pjesë krerët më të larta shtetërore, përfaqësues të institucioneve ...... dhe partive politike, të korit diplomatikë, të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përfaqësues të kultit dhe familjeve të dëshmorëve, profesorëve e studentëve të Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Prishtinës ka historinë e vet të mbështetur në ide kombëtare dhe vlera evropiane, por edhe në vrullin e veçantë për edukimin sa më të shpejtë të shqiptarëve, për të krijuar vetëdijen për vetveten”, është shprehur rektori Mujë Rugova, duke shtuar se fillimet e arsimit dhe të shkencës në Kosovë, si dhe veprimtaria e institucioneve të para të arsimit të lartë kurorëzohen pikërisht me themelimin e Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970.
Tani Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, ndërsa numri i studentëve të regjistruar në vitin akademik 2009-2010 është 38.291. Sipas Rugovës, Universiteti i Prishtinës i ka kushtuar një rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar me qendra të ndryshme të universitare, sidomos me Universitetin e Tiranës.
“Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar rol të veçantë kanë Seminari i Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti Veror Ndërkombëtar, si dhe projekte dhe programe të shumta në shkëmbimin e përvojave më të avancuara në edukimin e lartë”, ka thënë Rugova.
Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu në fjalën e tij tha se kremtja, megjithëse u përket pikë së pari profesorëve dhe studentëve, ajo po kaq fuqishëm përjetohet edhe nga qytetarët e vendit tonë.
“Fati i zhvillimit të vendit tonë ishte i lidhur me punën dhe shtrirjen e Universitetit, sepse ai ndërtoi strategjinë teorike dhe praktike për dije dhe liri. Dija i dha jetë lirisë dhe të dyja bashkë u vunë në shërbim të të mirës për të gjithë. Ajo krijoi bazën për zhvillimin e shtetit dhe në këtë mënyrë e forcoi perspektivën tonë”, është shprehur Presidenti Sejdiu. Ky është rast që kthejmë kujtesën tonë për të respektuar të gjithë profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët punuan në proceset e krijimit dhe të realizimit të aspiratës për liri dhe mëvetësi nacionale, duke u nisur nga vitet ‘60, ‘80 dhe ’90.
Edhe kryeparalamentari Jakup Krasniqi, historinë e Universitetit të Prishtinës e lidhi me historinë e Kosovës në përgjithësi.
“Historia e Universiteti të Prishtinës është e pandashme dhe një me historinë e 40 vjetëve të fundit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi, duke mos harruar të përmendë protestat e vitit ’68, ’81 dhe ’97, si kërkesa legjitime të Kosovës dhe të popullit të saj..
“Lëvizja që do të ndodhë në vitin 1997 ishte prishje e kodit të paqes me sunduesin dhe prelud i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.
Mendim të ngjashëm shfaqi edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai tha se Universiteti mund ta shkruaj historinë e vet përmes historisë së Kosovës, dhe Kosova mund ta shkruaj historinë përmes historisë së Universitetit.
“Ky është një moment i mirë për të kujtuar 40 vitet e Universitetit të Prishtinës dhe për të punuar për kohët që do të vijnë. Nga një universitet që i ka mbijetuar të kalojmë në një Universitet që do të jetë konkurrentë i dijes në botën bashkëkohore”, ka thënë Kuqi.
Enver Hoxhaj, ministër i Arsimit, tha se fjalimet e parafolësve të tij nuk e lënë të flasë për Universitetin e Prishtinës, por të mbështesë edhe më shumë këtë universitet. Sipas Hoxhajt, roli i një universiteti është që të shtrojë pyetje, andaj, ka thënë ai, do të parashtrojë unë 3 sosh.
“Çfarë ka qenë Universiteti i Prishtinës në të kaluarën? Përgjigja më e mirë do të ishte kjo: Biografia e idesë së shtetit të Kosovës. Dikush mund të thotë se Universiteti i Prishtinës ka kontribuar shumë në rrafshin shkencor dhe akademik, por më lejoni të them se e veçanta e këtij Universiteti është se ky universitet ka lindur një shtet, Shtetin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, teksa ka parashtruar pyetjen e dytë, së cilës po ashtu iu ka përgjigjur vetë.
“Cili është roli dhe misioni i Universitetit sot? Shtetndërtimi i Kosovës. Roli i tij do të jetë që shtetin e Kosovën ta kthejë në një shtet të dijes. Fuqia e një shteti nuk varet më nga madhësia e sipërfaqes së saj dhe numri i popullsisë. Por nga cilësia dhe arsimi i tyre”, ka thënë Hoxhaj.
Pyetja e tretë e Hoxhajt ishte se cili është roli i Universitetit të Prishtinës, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj?
“Universiteti i Prishtinës gjithherë ka qenë vlerë evropiane, prandaj misioni i tij duhet të jetë që Kosovën ta bëjë shumë më shumë evropiane se sa është sot”, ka përfunduar Hoxhaj.
Me rastin e 40 – vjetorit të themelimit, UP-ja vendosi t’i nderojë me mirënjohje profesorë të Universitetit të Prishtinës, si dhe me Mirënjohje post mortem disa të tjerë.
Ish-rektorët Idriz Ajeti dhe Feriz Krasniqi, profesori i Universitetit të Tiranës, Osman Krajës, atij të Zagrebit Tomë Berisha, dhe profesoreshës së UP-së Sehadete Mekuli, ishin ata që morën mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës.
Ndërkaq, ish-rektorët Dervish Rozhaja, Ejup Statovci dhe Gazmend Zajmi, ish-prorektori Eshref Ademaj, profesorët Fehmi Agani, Anton Çetta, Ali Hadri, Remzi Bakalli, Ukshin Hoti, Sami Peja, profesorët e Universitetit të Tiranës Eqrem Çabej dhe Kolë Popa, si dhe ish-studenti Osman Dumoshi, ishin ata që u nderuar me mirënjohje post mortem.
Në këtë ceremoni mirënjohje si studentë të dalluar morën edhe 37 veta nga të gjitha fakulteteve të UP-së.
Fjalë përshëndetëse dhanë edhe Enver Duran, rektor i Universiteti i Trakisë, dhe Agron Reka rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në fund u dha edhe dokumentari me titull “Universiteti që zgjoi një komb”, i përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës. (koha)
Shtuar më 16/02/2010, ora 00:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori