Historia e trishtë e femrës fatale që marrosi burrat e Tiranës dhe u var me litar

Ganimet Cuku, është një ndër femrat fatale të viteve të diktaturës, ’50-’60.

Ajo është e njohur jo vetëm për sharmin dhe marrosjen që u shkaktonte djemve në atë kohë por edhe për historinë e trishtë të vdekjes së saj.

Ajo ishte një vajzë nga Tirana dhe mbahej si femra më e bukur në atë kohë. Por për të qarkullonin fjalë që ajo ishte një kurtizane (prostitutë), se kishte shumë të dashur dhe u merrte atyre lekë.
Historia e saj u mbyll në mënyrën më tragjike të mundshme, ajo u vetëvar bashkë me të ëmën në një sallë derrash.

Meshkujt e përndiqnin, i shkonin pas aromës që linte mbrapa në shëtitore. Djemtë e Tiranës ishin të ‘marrosur’ pas saj. Të tjerë, të ardhur nga të katër qoshet e kryeqytetit, sajonin ndonjë punë asaj lagjeje për ta parë. Shikimet nuk u ndesheshin, sepse Ganimeti rrallëkujt ia hidhte sytë.

Ahmet Golemi, kampion boksi në atë kohë, i përmbushte të gjitha kushtet për t’iu afruar. E theu akullin, që të shijonte pastaj ëndrrën, për tri vite me radhë, deri sa e ndaluan. E rënë në gjurmët e Sigurimit të Shtetit, historia e tyre u pengua.
Gjatë historisë së tyre që e lakmonin të gjithë, sado i ri që ishte, kishte marrë sinjalizime të heshtura se ajo nuk ishte grua për të.

Kjo, jo vetëm pse ishte gati 5 vite më e madhe në moshë se ai. Një zhurmnajë e vjetër në Tiranë, nga ato që jehojnë ende sot, gati 50 vite pas vdekjes së saj, e bënte të padenjë për të krijuar një marrëdhënie familjare.

Ajo vinte nga një familje e pasur, me babanë tregtar të vjetër të Tiranës. Zërat thonë se nuk kishin parë ndonjëherë që meshkujt të hynin pa hesap në shtëpinë e saj, sikundër flitet në romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje” të shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjitha të dhënat në romanin e Kadaresë të çojnë te vila e Ganimetit, të cilën ai e ka quajtur Margaritë.

Në vitin 1945, një oficer i misionit anglez u dashurua marrëzisht pas saj, por ai u detyrua të largohej brenda 24 orëve, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ndërsa Ganimetit i vunë prangat në duar dhe e rrasën në një qeli burgu të Tiranës.

Në burg atë e torturuan barbarisht, ndërsa disa funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit tentuan ta përdhunojnë. E mbajtën disa muaj në hetuesi, por nuk mundën ta bënin të pranonte se ishte agjente e zbulimeve të huaja, prandaj u detyruan ta lironin. Kur doli nga burgu, e lanë pa punë, që të vdiste urie.

Për të mbijetuar, ajo merrej me zbukurimin e vajzave të Tiranës, ditën e martesës. Ajo ishte tepër krenare dhe e sfidonte regjimin, duke bërë çdo mbrëmje shëtitjen e saj në bulevardin “Zogu I”.

Asnjëherë nuk u përkul të kërkonte mëshirë. E internuan së bashku me të ëmën në një ditë tetori me shi të vitit 1967.

Të nesërmen, ajo bleu 10 metra litar dhe e ndau në dy pjesë të barabarta. U ul pranë tavolinës dhe shkroi një letër. Kujt ia drejtonte dhe çfarë ishte shkruar në të, askush nuk e mori vesh, përveç operativit të Sigurimit të Shtetit.

Si mbaroi letrën, hipi në karrige dhe vari mbi një tra dy litarët e bërë lak. Pasi pinë kafen e mëngjesit, hipi nënën mbi karrige, i hodhi litarin në qafë dhe i ra karriges në shkelm.

Nëna mbeti e varur. E çoi karrigen një metër më larg, hipi sipër saj dhe vendosi lakun në fyt. Shtrëngoi dhëmbët fort që, kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me këmbë dhe mbeti e varur si nëna e saj.

Në mbrëmje vonë, kufomat e viktimave i hodhën në një gropë që ndodhej buzë kanalit, i cili kalonte pranë stallës së derrave, pa u vendosur asnjë shenjë dalluese mbi pirgun e dheut që i mbuloi. /albeu.com/

Shtuar më 16/08/2017, ora 14:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori