Aksidenti tronditës, gazetarja: Atë ditë kishte të tjerë shoferë përdorues droge

Aksidentet rrugore dhe siguria e jetës ishte tema e bisedës sot në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin me të ftuar Mirilda Tili, Fisnik Ziçishti dhe Arjola Manreka. Gazetarët e kronikës u organizuan ditën e djeshme, një protestë sensibilizues për aksidentet rrugore dhe kujdesin që duhet patur në raste të tilla.

“Janë 4-fish më shumë vdekjet nga aksidentet se sa nga vrasjet. Jemi përdorues droge, flas për të dhënat. Nga 12 orë inspektim ose kontroll që bëri policia e shtetit pas atij aksidenti, në të dhëna zyrtare na erdhi në celularin e të gjithëve, 12 përdorues droge ishin në timon që do të thotë 12 terroristë në rrugë dhe që ishte një inspektim rutinë”, tha Mirilda.

Ndërkohë specialisti i sigurisë rrugore, Fisniku tha se nuk qëndron puna vetëm tek policia sepse sipas tij, ajo është çdo ditë në rrugë, po qytetarët sa aktivë janë?! Ai u ndal tek aplikacioni për të raportuar shkeljet rrugore ku nënvizoi se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që të mund të raportojnë.

Mirilda ngriti një tjetër diskutim duke përmendur një rast ku një qytetar me makinë të shtrenjtë ishte me shpejtësi, ndërsa polici që ishte në rrugë nuk kishte reaguar aspak duke kthyer shpinën.

Në këtë moment Fisnku e vuri theksin sërish tek raportimi në aplikacion apo në komisariatin dixhital: “Pse nuk e raportojnë qytetarët? Sa herë ky person ka xhiruar gomat kur del nga shpia. Ne qytetarët duhet të ndërgjegjësohemi dhe të raportojmë, nuk jemi spiuna, por për të shpëtuar një jetë njeriu”.

Në fund psikologia nënvizoi se të rinjve përmes rrjeteve sociale iu paraqiten modele jo të drejta.

Nga rrjetet sociale, modelet negative që po ju jepen përgjithësisht të rinjve është të jesh i fortë, të jesh ai personi që ka makinën luksoze, të tregosh në story-t e mesnatës se sa e nget makinën, mbi 200 km/orë po më shumë. Është një lloj tendence për të treguar që unë jam i pushtetshëm, kam para, zotëroj gjithçka; e arrin limit shkon në përdorim të lëndëve narkotike”, tha psikologia Arjola Manreka.


Shtuar 10.05.2022 18:07