Historia e 2-vjeçarit rrugëve të Europës
Në vitin 2016, një sondazh i Gallup i rendiste shqiptarët në vend të tretë përsa i përket dëshirës për t’u larguar nga vendi. Dhe, në fakt, prej vitesh, historitë e shqiptarëve nëpër botë janë të shumta. Secili prej nesh, njeh të paktën një nënë që është detyruar të braktisë fëmijët, një fëmijë që endet i vetëm rrugëveEuropës, një vajzë apo grua të prostituohet apo një djalë që kthehet në vegël të krimit, e përfundon pas hekurave (në rastin më të mirë).

Ndoshta neve shqiptarëve, që jemi mësuar me këto histori, nuk na bën përshtypje statistika e Gallup. Por, ndoshta do na bëjë përshtypje historia e këtij 2-vjeçari, jeta e të cilit nisi e vazhdon rrugëveEuropës, pa atdhe, pa shtëpi e pa familje! Bëhet fjalë vogëlushin nga Vlora, historia e të cilit është rrëfyer nga daja në inboxin e faqes zyrtare të deputetit Agron Shehaj. Kalvari i torturës nis që në Shqipëri, kur e ëma u detyrua të largohej sa më parë nga vendi për shkak të problemeve të shumta familjare dhe ekonomike.

“U largua nga Shqipëria shtatzënë së bashku me dy fëmijët, një vajzë dhe një djalë të rritur nga 14 dhe 16 vjeç. Si të gjithë shqiptarët ajo shkoi në vendin më të zhvilluar të Europës, Gjermaninë dhe aty kërkoi azil. Gjatë kësaj kohe aty lindi nipi ose më mirë motra lindi dhe fëmijën e tretë në Gjermani dhe kështu u bë me tre fëmijë, dy djem e një vajzë”,-rrëfen daja i fëmijës për z.Shehaj, i cili gjithashtu vjen nga një histori emigrimi, por që u kthye në një histori suksesi.

Një fëmijë meriton ta nisë jetën i rrethuar nga dashuria e familjes, aty ku mëson fjalët e para dhe ku hedh hapat e parë. Por, për dy vjeçarin, jeta nisi e vazhdon në rrugë pasi e ëma e tij nuk mund të kthehet më në Shqipëri. Midis varfërisë e mundësive zero në vendin e saj dhe mundësive që ofron Europa e që nisin kështu, midis rrugëve, ajo zgjedh Europën.

“Pa asnjë mundësi për të rritur fëmijët vendosi të largohej dhe kësaj radhe është në Francë, dhe prêt një lajm të mirë për të qëndruar aty. Me pak fjalë djali i sapolindur po torturohet kampeve të Europës për një të ardhme me të mirë. Kjo është e vërteta e nipçes që gjyshërit nuk kanë patur mundësi ta njohin për arsye që thash më lart”, e mbyll rrëfimin e tij.

Ndoshta historia e dy vjeçarit, për ne është një histori që “na i ka rrahur veshët” shpesh, por për vetë 2-vjeçarin kjo është historia e jetës së tij. Një jetë që nis larg atdheut, midis rrugëve, i pasigurt. E megjithatë, shumë prej nesh do zgjidhnin këtë rrugë vetëm e vetëm që të largoheshin sa më parë nga një vend që 27 vite pas rënies së diktaturës, ende duket se nuk ka të ardhme.
Shtuar më 02/10/2017, ora 17:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori