Histori tronditëse/ Nëna e 3-vjeçares ra pre e trafikantëve duke folur në Facebook
Dy prindër nga Cërriku, të cilët prej gjashtë muajsh kanë humbur çdo kontakt me vajzën e tyre Brikena Beqiri, kanë rrëfyer detaje tronditëse në lidhje me vajzën e tyre 24 vjeç, që dyshohet se ka rënë pre e trafikantëve të prostitucionit e drogës.

E reja është nënë e një vajze 3 vjeçare, e cila ndodhet nën kujdesin e qendrës së motrave “Nënë Tereza”. E gjithë zanafilla ka nisur nga Facebooku, ku pretendohet se Brikena ka njohur një djalë dhe më pas një femër e panjohur e prezantuar si Lola, ka hyrë në shtëpinë e familjes nga Cërriku.

Lola dhe Brikena u kanë thënë prindërve të kësaj të fundit se do shkonin në Turqi, por kanë përfunduar në Itali. Ja sesi e rrëfejnë vetë historinë prindërit e 24 vjeçares së trafikuar në emisionin “Me zemër të Hapur”, në "News 24".

Nëna e Brikenës: "Ne në fillim na erdhi një femër në shtëpi, dy tre herë edhe mbas ca ditësh thotë ime bijë do shkoj te burri im. Moj nënë po ti nuk ke burrë, i thashë. Kam njohur një person në Facebook, më tha. Ndenji rreth një muaj ajo femra, erdhi tha do ikim në Turqi te i shoqi se ka bërë aksident. Kjo femër ikte vinte dhe u paraqit si e afërmja e personit që kishte njohur vajza nga Facebooku. Po ne nuk kishim shpallur fejesë a martesë. Ime bijë thoshte unë me Vladimir Toçin e kam fëmijën. E morën në Turqi, kur dolën në Itali. Telefonoi, tha që ishte në Itali".

Babai i Brikenës: "Ne kë të pyesnim, qiellin? Vajza na gënjente. E kam marrë në telefon. Ky është burri im, këtë dua. Tha: Ka bërë aksident para një muaji. I thashë: Sa kohë ka i shtruar? Ai s’ishte fare në spital, kjo thoshte ka bërë aksident. I thashë shko shikoje njëherë a është ky burrë që do ti apo është ndonjë tjetër.

Pse i thashë lekët e tua më vijnë nga Italia. Ato 600 euro i kam marrë për vajzën, ta rris, ta vesh, ta ushqej. Ne s’e dorëzuam asnjëherë te ata njerëz vajzën.

Para se të lindte vajzën, nuk e di çfarë ka bërë. E çova unë në spital që lindi. Tha spitali do e merrni fëmijën? I thashë unë e marr por dua babën e fëmijës. E mashtruan moj zonjë. Vajza iku nga shtëpia dhe ne nuk e dinim me kë shoqërohej. Po bën 8-9 vite që ikte vazhdimisht nga shtëpia. 3 herë në polici denoncim, 3 herë te Krimet e Rënda Tiranë. Që 18 ikte nga shtëpia, shoqërohej me Lolën, gruaja që u hoq si e afërmja e babait të fëmijës. Thoshte e kam djalë xhaje, piu kafe, më dha 10 mijë lekë. I thashë të bëj një pyetje? Ke burrë? Kam. Po ku rri? Ja andej jashtë. Në qoftëse ke burrë, do ma sjellësh ta shohë njëherë ? Po tha, do i them.

Mbasi shkoi në Turqi, u martua me këtë Shkëlqim Sharrën, po në nuk e dimë a është burri i saj, a jo. Tha ky është. Po fëmijën thotë e ka me Fatmir Toçin". /albeu.com/

Shtuar më 14/10/2016, ora 14:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori