Kuvendi i Malit të Zi voton sot pro ose kundër shkarkimit të Qeverisë së Abazoviç

Sot, Kuvendi i Malit të Zi, do të mbajë votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç. Seanca është caktuar në orën 11:00. Në të do të marrë pjesë edhe vetë Abazoviç me ministrat e kabinetit të tij.

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit. Iniciatorët po ashtu kanë vlerësuar se Qeveria ka pasur detyrë prioritare reformimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit, ashtu që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.

Qeveria e Abazoviçit është formuar më 28 prill, pasi në shkurt është rrëzuar Qeveria e Zdravko Krivokapiçit.


Shtuar 19.08.2022 07:47