Kosovë, tensionet etnike kanë krijuar një “vullkan” politik që mund të shpërthejë në çdo kohë

Nga Janine Natalya Clark “The Conversation

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pasi vizitoi së fundmi Kosovën, në një përpjekje për të zbutur tensionet e përndezura në veri të vendit, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Cholletm tha se prioriteti i Uashingtonit është të parandalojë përhapjen e “metastazave të dhunës” mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Gjëja e fundit që mund të dëshirojë ndokush nga ne tani, është një krizë në këtë pjesë të botës, duke pasur parasysh se jo shumë larg nga këtej po përballemi me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”-deklaroi Chollet para gazetarëve. Ai shtoi:“Ne nuk duam të zhytemi në një krizë të re. Në fillim targat, pastaj barrikadat. Nuk duam asgjë të ngjashme javën tjetër”.

Diplomati amerikan po i referohej krizës që ndodhi në fund të vitit të kaluar në lidhje me targat e makinave në veri të Kosovës, e cila kufizohet me Serbinë. Më shumë se një dekadë pasi Kosova – dikur një krahinë autonome e Serbisë – shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë, Serbia nuk e ka njohur Kosovën si një shtet sovran.

As serbët që jetojnë në veri të Kosovës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe e konsiderojnë ende veten si pjesë e Republikës së Serbisë. Prandaj, shumë prej tyre kanë vazhduar të përdorin targat e makinave të lëshuara nga Beogradi. Nëntorin e vitit të kaluar, qeveria e Kosovës nisi zbatimin e një plani për t’i nxjerrë jashtë ligjit këto targa, duke shkaktuar dorëheqjen masive të serbëve nga administrata shtetërore në veri.

Edhe pse Serbia dhe Kosova arritën më pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja, situata u ndez sërish pas arrestimit më 10 dhjetor të vitit të kaluar të Dejan Pantic, një ish- polic serb, që u akuzua për organizimin e një “akti terrorist” kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet e Kosovës pretenduan se Pantic kishte sulmuar zyrtarët e KQZ-së. Serbët u kundërpërgjigjën duke ngritur barrikada dhe bllokuar disa nga rrugët kryesore. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje forcave të NATO-s të stacionuara në vend që të zhvendosnin “barrikadat luftarake”, dhe këmbënguli se ato të çmontoheshin nga autoritetet e Kosovës në rast se këtë nuk e bënte misioni paqeruajtës i aleancës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, vendosi në gjendjen më të lartë të gatishmërisë forcat e armatosura të vendit të tij, duke pohuar se kjo masë ishte e nevojshme për të “mbrojtur popullin tonë  në Kosovë, dhe për të ruajtur sigurinë e Serbisë”.

Kriza u zbut pasi autoritetet e Kosovës ranë dakord më 28 dhjetor për lirimin e Pantic nga burgu, dhe pasi dhanë garanci se protestuesit serbë nuk do të ndiqeshin penalisht. Më pas Vucic reagoi duke i bërë thirrje serbëve në veri të hiqnin barrikadat, dhe këta të fundit pranuan.

Ndërsa situata në veri të Kosovës ishte e paqëndrueshme, rreziku i një konfliktit të drejtpërdrejtë ishte padyshim i vogël. Dhe ai mbetet i tillë, pavarësisht akteve sporadike të dhunës. Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe Kosova dëshiron që të ndjekë shembullin  e saj.

Asnjë nga 2 vendet nuk ka asgjë për të fituar nga një gjakderdhja e re midis tyre. Por kjo nuk i ka penguar liderët e të dyja palëve që të rrisin tensionet për qëllimet e tyre. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, deklaroi më 21 dhjetor para parlamentit serb:“Ne jemi në prag të një konflikti të armatosur, falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”.

Po ashtu, ajo i bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile që “të flasin hapur për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë dhe Metohi”. Pasi serbët në veri ranë dakord të heqin barrikadat, Brnabic i falënderoi ata dhe Vucic për “gjetjen e forcës për t’iu përgjigjur terrorit dhe agresionit brutal”.

Vucic e ka cilësuar Kurtin si një “terrorist”, duke e paralajmëruar:“Nëse vazhdon terrori, ne do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet e Prishtinës!”. Ndërkohë, liderët politikë në Kosovë i etiketojnë shpeshherë serbët në veri si “ persona apo grupe kriminale”.

Është e vërtete që elementët ekstremistë kanë qenë shumë aktivë në veri, përfshirë anëtarët e Narodne Patrole, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin mercenar rus Vagner, i cili po lufton në luftën në Ukrainë. Por fokusimi vetëm tek ekstremistët, po lë në hije shqetësimet e vlefshme të serbëve të Kosovës në veri, të cilët kanë pak besim te qeveria në Prishtinë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Për më tepër, siç e treguan pamjet filmike burra dhe gra të të gjitha moshave kanë marrë pjesë në protestat e fundit, dhe mijëra gra serbe të Kosovës kanë bërë thirrje për qetësi.

Udhëheqësit politikë në Kosovë, kanë qenë gjithashtu të prirur të vënë në pah marrëdhëniet ngushtë të Vucic me Putinin, duke argumentuar se Rusia qëndron pas krizës së fundit në veri të Kosovës dhe se Moska ka një “interes në përhapjen e luftës edhe në këtë rajon”.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Së pari, Putin i ka duart e zëna në Ukrainë. Për më tepër, destabiliteti në Kosovë i ka rrënjët që në fundin e viteve 1980, kur Kosovës iu hoq statusi i krahinës autonome. Ajo çoi në përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Pohimi i Kurtit se Rusia ka “një klient që ndodhet në Beograd” është gjithashtu i tepruar. Ai e keq-interpreton lidershipin serb vetëm si shërbëtorët e Putinit, duke e shpërfillur faktin se Vucic ka në fakt interesat e tij në lidhje me Kosovën, dhe se ai përfiton jo pak politikisht nga destabiliteti atje.

Tensionet në Kosovë e ndihmojnë Vucic të fitojë pikë politike në Serbi. Për më tepër ai deklaron shpesh se Gjermania dhe Britania qëndrojnë pas gjithçkaje që bën Kurti. Vetë kryeministri i Kosovës e ka shfrytëzuar luftën në Ukrainë për të tentuar përshpejtimin anëtarësimin e Kosovës në BE.

Prishtina paraqiti zyrtarisht më 15 dhjetor 2022 kërkesën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por çështja e anëtarësimit të Kosovës (dhe të Serbisë) në BE nuk mund të fillojë që të zgjidhet derisa të stabilizohet situata në veri të Kosovës.

Kjo nënkupton respektim të procesit të dialogut Beograd-Prishtinë , i vendosur si pjesë e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Sipas asaj të fundit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe si një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë.

Dhjetë vjet më vonë, ai nuk është formuar ende. Duke pasur parasysh kërkesën për anëtarësim të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i bëri së fundi thirrje Kosovës që të “fillojë menjëherë” procesin e krijimit të asociacionit. Dhe ky apel është për t’u përshëndetur.

Pa një dialog progresiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe pa një zgjidhje të çështjeve në veri të Kosovës në veçanti, armiqësitë mes dy vendeve do të vazhdojnë, dhe Kosova do të mbetet si një “vullkan” politik në rrezik për të shpërthyer çdo disa vjet. /albeu.com

Shënim:Janine Natalya Clark, profesore e Drejtësisë Tranzicionale dhe e të Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Birmingemit, Angli.


Shtuar 19.01.2023 12:33