Hetohen tri raste vdekjesh te dyshimta ne Mitrovice
Albeu.com
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës konfirmoi të premten se ka filluar hetimet në lidhje me vdekjen e dyshimtë të tre personave, në tri rast të ndara. Zëdhënësi rajonal, Besim Hoti, tha se S. Nika, i moshës 57 vjeçar, banor i Republikës së Shqipërisë, është ...... raportuar të ketë humbur jetën aksidentalisht gjatë punës së tij në rrjetin elektrik në fshatin Sfaraçak të Vushtrrisë, të enjten rreth orës 13:40. Viktima besohet të ishte punëtor i firmës “ENBI Power” nga Shqipëria, kompani kjo kontraktuese e KEK-ut.


Prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rastin është paraqitur fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit dhe më pas ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes në fshatin Sfaraçak, së bashku me hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës. Në vend ngjarje është ftuar edhe eksperti i pavarur i rrymës elektrike.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa prokurori publik ka autorizuar që rasti të regjistrohet si vdekje e dyshimtë deri në konstatimin e shkaktarit të vdekjes.

Policia e Kosovës, përmes zyrës ndërlidhëse ka njoftuar autoritetet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë për rastin e raportuar.

Rasti i dytë i një vdekjeje të dyshimtë, e që besohet të jetë një vetëvrasje me varje, është regjistruar në Vushtrri, të premten në mesditë.

Viktima, një femër, A.S. rreth 50 vjeçare, është gjetur e varur me një kabllo elektrike në shtëpinë e saj. Rrethanat dhe motivet e këtij akti të vdekjes së dyshimtë, mbeten të hetohen nga hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor nga Reparti i emergjencës të Spitalit të Vushtrrisë.

Prokurori publik është informuar lidhur me rastin dhe ai ka lejuar që trupi i pajetë i viktimës t’u lihet familjarëve, pasi nuk janë gjetur gjurmë apo elemente të mundshme të veprës penale.

Rasti i tretë i gjetjes së një trupi të pajetë është regjistruar sot në mëngjes, rreth orës 09:25, në veri të Mitrovicës. Një mashkull, 56 vjeçar, i identifikuar si H.Salijeviq, i përkatësisë etnike boshnjake, është gjetur i shtrirë për tokë, pa shenja jete në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës.

Në vend ngjarje, veç njësive përkatëse të policisë, ka dalë edhe ekipi kujdestar i Qendrës spitalore nga veriu i Mitrovicës, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Hetuesit policor dhe mjekët kujdestar pas ekzaminimit preliminar të viktimës, nuk kanë gjetur shenja të dhunës apo elemente të veprës penale.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është regjistruar si vdekje e dyshimtë deri në konstatimin e shkaktarit të vdekjes së viktimës nga ekspertët mjeko-ligjor. (koha)
Shtuar më 21/05/2010, ora 17:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori