Heshtja Limaj
Albeu.com
Bastisja e Ministrisë së Transporteve dhe pronave të Ministrit Limaj i ka dhënë një goditje të rëndë imazhit të Qeverisë Thaçi. E, megjithatë, Kryeministri dhe zyrtarët e lartë të PDK’së ende nuk e kanë thënë asnjë fjalë ...... për situatën e krijuar. Opozita kërkon dorëheqjen e Ministrit Limaj dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Skenat me policë ndërkombëtarë, të cilët bastisën rrufeshëm tri ditë më parë Ministrinë e Transportit të udhëhequr nga Fatmir Limaj, i kanë dhënë një goditje të rëndë imazhit të Qeverisë së Hashim Thaçit.

Mbledhja e jashtëzakonshme në Zyrën e Kryeministrit të mërkurën mbrëma, ku morën pjesë Kryeministri Thaçi, Ministri Limaj, Ambasadori amerikan Christopher Dell dhe Shefi i EULEX’it, Yves de Kermabon, nuk nxori përgjigjet proporcionale me atë çfarë ndodhi në mesditë.

E tëra që kishte prodhuar kjo mbledhje maratonike ishin deklaratat e vetë Ministrit Limaj se do të vazhdojë punën e tij, përderisa hetuesit ndërkombëtarë do të vazhdojnë punën e tyre.

Kryeministri Thaçi ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për aksionin më të madh të policisë ndërkombëtare që prej se vendi ka shpallur pavarësinë. Megjithëse bastisja ndodhi në atë që është perceptuar si Ministria më e fortë dhe përmes punës të së cilës shpeshherë Thaçi ka tentuar ta masë suksesin e qeverisjes së tij.

Pikërisht heshtja e Kryeministrit është duke u goditur nga përfaqësues opozitarë, të cilët tashmë kanë nisur një betejë të re politike kundër tij. Tash, mbase me arsye, shumë më të mëdha.

Për opozitën, me bastisjen e fundit, Qeveria Thaçi ka humbur kredibilitetin për të qeverisur vendin.

Tri ditë pas aksionit policor në MTPT, dilema kryesore është nëse Qeveria Thaçi do të mund ta riparojë dëmin e shkaktuar në imazhin e saj.

Dikush mendon se gjërat do të ktheheshin në vend, nëse Fatmir Limaj do të jepte dorëheqje.

Mimoza Kusari-Lila beson se dorëheqja e Ministrit do të ishte vetëm hapi i parë.

“Mendoj se dorëheqja e Ministrit Limaj do të ishte akti i parë moral për t’i dhënë një qetësi kësaj situate. Ky është mendimi im personal”, ka thënë Kusari-Lila,
Nënkryetare e AKR’së, të shtunën, në një prononcim për Express.

Qeveria e Kosovës, të premten, ka mbajtur një mbledhje në të cilën ka marrë pjesë edhe Ministri Fatmir Limaj, për të cilin nuk janë kursyer lëvdatat nga Zëdhënësi Memli Krasniqi.

Por, fytyrat kryesore të Qeverisë nuk kanë preferuar t’u flasin gazetarëve.

Për Nënkryetaren e AKR’së, Kusari-Lila, heshtja e kreut të Qeverisë është papërgjegjësi e plotë.

“Është mungesë e përgjegjësisë dhe pjekurisë institucionale, mungesë e ndjesisë dhe respektit ndaj qytetarit të Kosovës”.

Ajo që e bën më të rëndë dhe që shton përgjegjësinë për këtë rast është fakti që EULEX ka kryer bastisje edhe në pronat e Ministrit Limaj.

“Kjo në vetvete jep një mesazh shumë negativ për punën dhe veprimtarinë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa, në anën tjetër, natyrisht se Qeveria është dashur të ketë mbledhje të jashtëzakonshme përmes të cilës të paktën është dashur t’i kërkohet ndjesë opinionit publik për skenat me të cilat u ballafaqua opinioni para disa ditësh”, ka deklaruar Nënkryetarja e AKR’së.

Por, a mund të çojë e tërë kjo situatë në zgjedhje të parakohshme, nëse kihet parasysh fuqia e politike e Limajt dhe pozita e tij në hierarkinë partiake e qeveritare?

Kusari-Lila e ka një përgjigje për këtë.

“Varësisht prej hetimeve të cilat dalin dhe varësisht nga implikimet, duhet me kërku që të shkohet apo jo në zgjedhje të parakohshme. Pra, një gjë e tillë ndodh në një situatë kur humb kredibilieti i Qeverisë”, thotë ajo.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka asnjë dilemë se nga situata e krijuar duhet të dilet me zgjedhje.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, ka thënë të shtunën për Express se në të njëjtën kohë lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë.

“Duhet të gjenden forma për të shpëtuar interesin nacional të Kosovës dhe kjo mund të bëhet përmes zgjedhjeve ose vazhdimit të luftës kundër korrupsionit dhe sqarimit të opinionit se kjo bëhet për të mirë të Kosovës, për ruajtjen e buxhetit të Kosovës dhe të interesit të qytetarëve”.

Por, si shihet nga kjo parti dorëheqja eventuale e Limajt?

“Kjo Qeveri s’ka moral. Limaj thotë se është duke u hetuar edhe nuk mendon të jep dorëheqje. Kjo tregon se s’ka moral dhe kjo përfshin tërë Qeverinë për shkak se nuk deklarohen fare. Sigurisht se kanë frikë për arsye se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshin shumë nivele të larta të Qeverisë.

Kryeministri Thaçi është koka e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë”, ka thënë Ramadani.

Pas bastisjeve në Ministrinë e Transportit, shumëkush ka përmendur mundësinë që në mungesë të aktakuzës Ministri Limaj do të mbetet në krye të këtij dikasteri pikërisht si në rastin e Lulëzim Bashës, ish-Ministër i Transportit në Shqipëri.

“Krahasime nuk mund të bëhen sepse në Kosovë kemi intervenimin e faktorit ndërkombëtar dhe duhet të jesh shumë i zhytur në korrupsion për të detyruar ndërkombëtarët që të marrin veprime që madje t’ia bastisin edhe dhomat e fjetjes së familjes së tij. Kjo do të thotë se ky është rast tepër i rëndë”, thotë Burim Ramadani.

Paralelja mes Bashës dhe Limajt nuk vlen as për Mimoza Kusari-Lilën.

“Në vendet demokratike nevojitet vetëm pak dyshim, qoftë edhe për një ngjarje që nuk lidhet direkt me veprimtarinë e ministrit, por për shkak se ndihet obligimi moral, ata tërhiqen”, ka thënë ajo.

Gazeta Express, të shtunën, ka kontaktuar disa prej zyrtarëve të lartë të PDK’së. Por, asnjëri prej tyre nuk është shprehur i gatshëm të flasë për çështjen e bastisjes së MTPT’së dhe pronave të Ministrit Limaj. (express)
Shtuar më 02/05/2010, ora 18:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori