Hera e parë në historinë e vendit! Presidenti Meta sot në Komisionin Hetimor, u përgjigjet akuzave
Presidenti Meta do të jetë sot në orën 10:00 përballë Komisionit të posaçëm Hetimor parlamentar, i ngritur për shkarkimin e tij.

Meta i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së bërë zyrtarisht nga ky komision për të marrë pjesë si dëshmitar para deputetëve, të cilët do të verifikojnë zbatimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me dekretimin dhe zhdekretimin e datës 30 qershor të zgjedhjeve lokale.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një president përballet me një Komision Hetimor për t’u pyetur si i dyshuar mbi shkeljen e Kushtetutës, iniciuar kjo nga maxhoranca socialiste, por dhe hera e parë në historinë pluraliste të vendit që Parlamenti nis procedurën e shkarkimit të kreut të shtetit, e cila duhet të finalizohet me një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është kompletuar me anëtarët e saj.

Mësohet se në këtë përballje, Presidenti do të shoqërohet nga 3 këshilltarë. Pritet me interes strategjia që do të ndjekë Presidenti përballë këtij komisioni, nëse ai do të mjaftohet duke lexuar argumentet e dërguara në mënyrë shkresore Komisionit Hetimor përmes një shkrese prej 25 faqesh, apo do të preferojë që këtë seancë ta zhvillojë përmes pyetje-përgjigjeve.

Po me aq interes pritet edhe qëndrimi i Presidentit në raport me kryetarin e Komisionit Hetimor, Ulsi Manja, për të cilin Presidenca nuk është kursyer t’i përmendë një bisedë audio pas zgjedhjeve në Dibër, publikuar nga gazeta “Bild”. Pak ditë më parë, presidenti Meta, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, tha se mezi pret të shkojë në Komisionin Hetimor ku është thirrur.

“Të dashur miqtë e mi gazetarë, më ‘çmendët’ me sms-të tuaja si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj te Parlamenti?! Së pari, Presidentit si kryetar i shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem te Parlamenti”, shprehet Meta.

Komisioni Hetimor është vetëm një nga hapat që ka ndërmarrë maxhoranca, për të arritur te shkarkimi i Presidentit nëse provohet shkelja e Kushtetutës me anulimin e datës së zgjedhjeve.
Shtuar më 09/09/2019, ora 08:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori