Heqja e imunitetit, Berisha: U fitua një betejë e drejtë
Sali Berisha
Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka vlerësuar votimin në Parlament të ligjit për kufizimin e imuniteti. Sipas kreut të qeverisë një ditë më parë u kurorëzua me sukses të plotë një betejë e drejtë.


"Sot në historinë e këtij kabineti në 20 vjet është një ditë shumë e veçantë. Ministrat u ulën për herë të parë defakto si qeveritar pa imunitet, dejuro do të jetë pasi të hyje në fuqi votimi i djeshëm në parlamentin shqiptar dhe ky është një votim historik. Dje u kurorëzua me sukses të plotë një betejë e drejtë, e ndershme, jo partiake 10-vjeçare. Një betejë të cilën e nisën në kohën kur ishim opozitë, e nisëm në një kohë kur nuk flitej për status nga askush përveçse ndërgjegjes sonë. Kjo betejë ka qënë e gjatë, e vështirë por pati dje kurorëzimin më të sukesesshëm” u shpreh Berisha.

Berisha tha gjithashtu se vitet që vijnë do të ketë dialog me opozitën për përmirësime të mëtejshme, duke vënë theksin tek lejimi i kontrollit të lirë të banesave.

"Varianti që ne mbrojtëm ishte më radikal. Parashikonte si kontrollin e banesës ashtu dhe ndalimin, por unë mendoj se kontrolli i banesës duhet të lejohej. Përsa i përket ndalimit, e mirëkuptoj opozitën se ajo nuk mund të pranonte një standard të tillë, sepse pa dyshim imuniteti është për Parlamentin, po natyrisht në një shoqëri të lirë përbën një garanci për opozitën, që ajo fuqishëm dhe lirisht të mbrojë, të kritikojë qeverinë dhe smund të abuzohet në këto të drejta të saj. Kështu që dhe ndërhyrja me të cilën opozita modifikoi draftin tonë, të paktën për pjesën e ndalimit ka mirëkuptimin tim të plotë. Vitet që vijnë do vazhdojnë dialogun me opozitën për përmirësime të mëtejshme, se paku për të lejuar kontrollin e lirë të banesës", tha Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2012, ora 11:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori