"Hedh një gur dhe të gjithë merren me të", Rama mundet vetëm nëse e lufton me armët e tij
Pas shtatë vitesh në pushtet teksa është në fund të mandatit të tij të dytë, Edi Rama nuk ka lënë thuajse asgjë pa bërë.

Edhe pse të gjithë ja dinë bëmat, edhe kundërshtarët ja dinë hilet, sërish të gjithë thuajse janë të bindur që ky njeri nuk mundet, që ky njeri nuk bie nga pushteti pa rënë vetë.

Edhe pse opozita thotë që është e gatshme për zgjedhje të parakohshme dhe se Ramës i ka ardhur fundi, sërish në veprimet e aksionet e tyre politike arrin të vëresh stepje jo vetëm momentale, por të tejzgjatura edhe në veprime politike. Në fakt duhet të ishte krejt e kundërta e opozita duhet t’i kishte bindur të gjithë se tashmë ky është fundi i Rilindjes.

Por përtej diskurit politik dhe fjalimeve të dalë herë nga selitë e herë në takime me gazetarët, ka pak veprime konkludente e të drejtëpërdrejta për të goditur “thembrën e akilit” të Ramës. Mbase nuk është vetëm një, mbase janë shumë më shumë se kaq por sido që të jetë duhet goditur.

Se sot më shumë se kurrë opozita duhet të ngjallë shpresë tek mbështetësit e saj, por edhe tek ata me ngjyrë gri e pa parti që mbase tashmë janë të bindur se Rilindja i ka bërë naftën këtij vendi, por nuk janë akoma të bindur se opozita është mjaftueshëm e fortë për të luftuar Ramën.

Në rrethana të tjera, në një shtet demokratik e kundër një kundërshtari e lideri demokratik mbase opozita po bën gjënë e duhur. Por për hirë të vërtetës, asnjëra prej dy kushteve të mësipërme nuk ngjan shumë me vendin tonë.

Rama nuk ka lënë gjë pa bërë, madje edhe kur ne kemi menduar se tashmë është boll ai sërish ka bërë një gjë tjetër duke na çuditur gjithmonë me skenat dhe bëmat e tij.

Sepse ky njeri i tillë është, sepse e ka kusht të panegociueshëm që të lërë gjurmë e të mbahet mend gjatë. Nuk ka rëndësi se për cfarë e sesi ama ky do që të mbahet mend, dhe thuajse ja ka arritur me sukses. Ama këto gjurmë po marrin në qafë shumë njerëz. Ndaj edhe sytë janë nga opozita.

Por Rama nuk mundet kështu, sepse kjo është loja e tij. Pra hedh një gurë dhe të gjithë merren me të, të gjithë e besojnë e në fund përfundojnë duke u gënjyer. Ky njeri ka treguar se nuk njeh limite në lojën e tij politike. Përdor cdo lloj arme e mjeti për të justifikuar veprimet e tij, ndaj thuajse kjo është tashmë një lojë pa rregulla.

E vetmja mënyrë për të qenë i barabartë me të është të luftosh me armët e tij, por jo sipas mënyrës së tij./gazeta Shqip/
Shtuar më 20/01/2020, ora 12:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori