Haxhirexha gjithnjë më afër PDSH-së
Albeu.com
Partia më e madhe opozitare shqiptare pas FRD-së sulmon edhe BDI-në. Kastriot Haxhirexha, anëtar i kryesisë së BDI-së, është gjtithnjë më afër PDSH-së. Afrimi i Haxhirexhës me PDSH-në, ka filluar që nga kalimi i Bardhyl Mahmutit në radhët e kësaj partie opozitare.Në PDSH thonë se Haxhirexha, të premten e kaluar ishte i pranishëm në koktejin solemn të organizuar për nder të Bardhyl Mahmutit.
Të dielën dhe të hënën nuk arritëm të kontaktojmë me Kastriot Haxhirexhën, për të mësuar nëse përfundimisht kishte vendosur të kalonte në PDSH.
Para dy javësh, Haxhirexha deklaroi për “Lajm” se do të mendonte për transferim në PDSH, në rast se i ofrohej kjo nga Bardhyl Mahmuti. Miqësia ndërmjet Haxhirexhës dhe Mahmutit kishte filluar nga angazhimi i tyre në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).
Kastriot Haxhirexha është ish-kryetar i Partisë Demokratike Kombëtare (PDK). Në vitin 2004, me një pjesë të kryesisë qendrore të PDK-së, ai kaloi në radhët e BDI-së, duke shpallur në këtë mënyrë shkrirjen e partisë së tij të mëparshme. Prej atëherë Haxhirexha është anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së, mirëpo jo shumë aktiv, sa dy ish bashkë partiakët e tij, Doçi dhe Ademi.
Dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në PDK, Xhevat Ademi dhe Rakip Doçi, përjashtojnë mundësinë për kalimin e tyre në taborin e PDSH-së. Doçi konfirmon se ka pasur ofertë nga Bardhyl Mahmuti për t’ju bashkangjitur radhëve të PDSH-së, mirëpo një gjë të tillë ai nuk do ta pranojë. “Me Bardhyl Mahmutin jemi shokë të mirë, mirëpo shoqëria është diçka tjetër, kurse angazhimi politik diçka tjetër”, thotë Doçi.
Në BDI nuk posedojnë informacione nëse Haxhirexha do të kalojë në PDSH, kurse në PDSH as nuk konfirmojnë, e as nuk përgënjeshtrojnë.
nga ISEN SALIU, Lajm
Shtuar më 22/03/2006, ora 10:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori