Haxhinasto-Popovski: Censusi, në përputhje me realitetin
Ministri i jashtëm Edmond Haxhinato, ka pritur sot me homologun e tij maqedonas Nikola Popovski. Në një konferencë të përbashkët për shtyp të dy ministrant përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, në nivel ekonomik, lehtësimit të procedurave të kalimit kufita, u ndalën edhe në procesin e regjistrimit të popullisë që ka nisur paralelisht në dy vendet.

Në fjalën e tij ministri Haxhinasto ka vlerësuar rëndësinë e madhe të censusit ndërsa ka shtuar se ai do të japë të dhëna reale për minoritetet në vendin tonë.

“Mendoj se procesi i censusit ofron të gjithë hapsirën dhe garancinë e nevojshme që rezultati të jetë në përputhje të plotë me realitetin e minoriteve në Shqipëri. Çdo pretendim i kundërt me këtë ka një ndikim të fortë politik, i panevojshëm dhe i parëndësishëm,”- deklaroi Haxhinasto.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Popovski theksoi se procesi i censusit duhet të përcaktohet nga perspektivat dhe vlerat europiane. Në këtë suazë duke iu referuar faktit se pakicat maqedone në Shqipëri kanë paralajmëruar bojkotin e këtij procesi, kryediplomati maqedonas i bëri apel pakicave kombëtare maqedonase të regjistrohen.

"Perspektivat europiane janë në interesin e të dy vendeve. Vlerat europiane janë ato që duhet të përcaktojnë proceset integruese. Duhet të promovojmë të gjitha vlerat që disponojmë në mënyrë që të integrohemi në BE; duhet të bëjmë gjithçka që të integrohemi në BE", deklaroi Popovski.

Gjatë konferencës së përbashkët dy homologët folën për hapa të tjerë të rëndësishëm në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.

Në qendër të diskutimeve, bëri me dije ministri Haxhinasto ishin përpjekjet maksimale për bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme, dhe mbi të gjitha në funksion të integrimit në BE.

"Diskutimi ynë u fokusua në integrimin ekonomik, në shkëmbimet mes dy vendeve, në hapat konkretë për të realizuar lëvizjen pa pasaporta drejt dy vendeve, vetëm me karta identiteti; për lehtësimin e procedurave doganore dhe krijimin e shërbimit më të mirë kufitar mes dy vendeve", theksoi zëvendëskryeministri Haxhinasto.

Ai tha se në qendër të diskutimit ishte edhe Kosova, tensionet në veri të saj, dhe kontributi i shtetit të ri në të mirë të paqes dhe sigurisë.

Kjo është vizita e radhës e ministrit Popovski në kuadër të turneut të tij Ballkanik, të nisur që nga marrja e detyrës para tre muajve.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bamir Topi dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli ndërsa ka parashikuar takime me përfaqësues të pakicës maqedonase.
Shtuar më 03/10/2011, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori