Koçi flet pas dëshmisë në SPAK: Bota e krimit në Fier është influente dhe ka lidhje me politikën

Pas dëshmisë në SPAK, zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi ka folur për mediat në lidhje me deklaratën e tij që vuri në lëvizje Prokurinë e Posaçme.

Koçi tha se, si politikan dhe deputet i zonës, ka vënë re që në Fier krimi ka goxha influencë. Ai gjithashtu tha se bota e krimit është e lidhur me politikën, sidomos me LSI-në.

“Duart e krimit janë përfaqësues të botës së krimit. Në Fier është një botë goxha e konsoliduar. Unë kam guxuar e kam denoncuar shumë herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar për një shkarkim nga puna dhe mesa di ky gjyqtar është shkarkuar. Unë jam politikan dhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente. Mendoj se sensibilizimi i SPAK është i nevojshëm.

Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduar me politikën. Mund t’iu them që në marrëdhënie me LSI ndikuan në zgjedhjet e fundit. Kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit”, tha Koçi.


Shtuar 26.07.2021 12:03