Si do të na duhet të sillemi tani në vendin e punës

Edhe pse një pjesë e mirë e bizneseve do të vijojnë të mbeten të mbyllura deri në një moment të dytë, të gjithë punonjësit që janë rikthyer në vendet e punës, duhet të veprojnë sipas rregullave të reja!

Bazuar në udhëzimet e reja të ISHP-së (Instituti i Shëndetit Publik), publikuar tek Monitor, punëdhënësit duhet të respektojnë të gjitha masat për sigurinë e punonjësve brenda atij aktiviteti.

Sipas këtij njoftimi, punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të elementëve bazë të higjenës ku përfshihen sapun i duarëve, dezinfektues me bazë alkooli 60%, peshqira një përdorimshe, letra dhe dezinfektues për pastrimin e sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eliminimin e mbetjeve.

Në aktivitetet e bizneseve të lejuara nuk duhet të mungojnë maskat dhe dorezat (që duhen ndërruar çdo ditë), për të parandaluar kështu një përhapje të mundshme të virusit në ambientet e punës.

Punonjësit duhet të shmangin shtrëngimin e duarëve, përqafimet apo kontaktet e afërta. Nga ana tjetër, punëdhënësi duhet të hartojë politika të brendshme siç janë mundësim i punës nga shtëpia, ose orare fleksibël për të shmangur grumbullimin.

Çdo punonjësi duhet t’i kërkohet larja e shpeshtë e duarëve ose përdorimi i dezinfektuesëve si dhe të mos lejohet përdorimi i mjeteve të njëri tjetrit. Ata gjithashtu janë të detyruar të tregojnë nëse kanë patur kontakt me dikë që ka rezltuar pozitiv ndaj Covid-19. Kontakti i punonjësve me kliente duhet minimizuar dhe komunikimet duhet të zhvillohen online.

Nga ana tjetër, biznesi duhet të praktikojë pastrimin e vazhdueshëm të sipërfaqeve dhe elementeve të tjera, duke përdorur mjetet e rekomanduara të dezinfektimit.


Shtuar 18.04.2020 08:09