Harito: Jemi duke intesifikuar punën për një internet më të sigurt
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, në bashkëpunim të ngushtë me organizatën ndërkombëtare "World Vision", organizuan sot forumin kombëtar me temë "Interneti që duam".

Aktiviteti u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit, ku fëmijë, prindër, institucione publike dhe private si dhe organizata të shoqërisë civile, u mblodhën për të diskutuar mbi mënyrat dhe masat për të patur një internet të sigurte. Fëmijët ishin fokusi i këtij aktiviteti me historitë dhe rekomandimet e tyre, për të patur një internetsigurt.

Ministrja Harito pasi dëgjoi historitë e fëmijëve tha në fjalën e saj se: “Nga historitë e fëmijëve por edhe nga studimi i bërë nga World Vision, del se nevojitet punë nga të gjitha palët për të patur një përdorim të sigurt të internetit dhe për të ruajtur fëmijët tanë nga ekspozimi i pa kontrolluar dhe i rrezikshëm në rrjet.

Interneti jo gjithmonë përdoret për qëllime pozitive dhe lufta për të patur një botë virtuale të sigurt është tashmë e domosdoshme.

Për këto arsye ne kemi bërë efektive Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, e cila ka një rol koordinues për të nxjerrë gjithë problematikat që hasen, si dhe për të parashikuar masat që duhen marrë”.

Ministrja Harito u shpreh se “për të intesifikuar dhe rritur masat për një internetsigurt, po gjatë kësaj jave, dedikuar internetit të sigurt, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit me Policinë e Shtetit.

Me këtë hap jemi duke punuar bashkarisht në nivel sensibilizues, informues por edhe në marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e keq përdorimit të internetit”.

Ministrja Harito e mbylli fjalën e saj me falenderime për World Vision si dhe për punën promovuese, ndërgjegjësuese të bërë me fëmijët, duke ftuar të gjithë në bashkëpunime të mëtejshme për të përforcuar të gjithë bashkë sigurinë në internet. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2015, ora 17:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori