Haradinaj: Korrupsioni ne krye
Albeu.com
Ramush Haradinaj ka akuzuar të mërkurën Qeverinë e Kosovës për korrupsion duke thënë se janë Kryeministri dhe Ministrat që janë të përfshirë në këtë fenomen e jo shërbyesit civilë.Në këtë mënyrë Haradinaj i është përgjigjur Kryeministrit Thaçi i cili para pak ditësh ka suspenduar disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të cilët, sipas Agjencisë Antikorrupsion, kanë qenë të përfshirë në afera korruptive.

Këtë veprim të Thaçit, Haradinaj e ka krahasuar me logjikën e qeverive lindore.

“Mendoj se korrupsioni nuk është sëmundje që i ka përfshirë sektorin civil. Korrupsioni ka përfshirë lidershipin politik në qeverisje. E vetmja mënyrë që të ndalet korrupsioni është që Kryeministri dhe Ministrat të mos përfshihen në korrupsion. Këto janë praktika kryesisht të qeverive të lindjes që të viktimizohet dikush, por kjo nuk është luftë kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Haradinaj, madje, ka thënë se së shpejti do të prezantojë fakte për keqpërdorime në Ministrinë e Transportit e cila aktualisht ka namin e dikasterit më të suksesshëm në Qeverinë e Kosovës.

“Jemi në posedim të shumë informatave për shumë keqpërdorime dhe ndoshta në një të ardhme do ta japim mendimin tonë konkret. Mjafton kushdoqoftë në Kosovë të bëjë një krahasim për çmimet e punëve të kryera në Kosovë dhe rajon dhe të bëhet dallimi.
Nuk kemi arsye t’i mbajmë fshehtë, por në një të ardhme do t’i bëj publike ato informata”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK’së ka sulmuar pushtetin aktual edhe për ngecjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke thënë se në këtë mënyrë ato po paaftësojnë vendin për të mbajtur zgjedhje të lira. Pikërisht për këtë Haradinaj thotë se ka kërkuar involvimin e OSBE’së në proceset e ardhshme zgjedhore.

“Ju e shihni një ndërhyrje në emërime, një pengesë, një vonesë, një bllokim i këtyre mekanizmave, i KQZ-së dhe i Sekretariatit andaj kjo në logjikën tonë është një agjendë e institucioneve të Kosovës për të ulur aftësitë, kapacitetin dhe kredibilitetin tonë për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta”.

Lideri i AAK’së ka vazhduar me akuza edhe për mënyrën se si institucionet e vendit janë duke bërë përgatitjet për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Haradinaj megjithatë ka lëvduar ekipin ndërkombëtar që do të përfaqësojë Kosovën në gjykatën botërore por ka thënë se është i shqetësuar me nivelin e përgatitjeve të brendshme.

“Ndërkombëtarët na kanë konsultuar por nga vendorët nuk ka ardhur askush ta marrë ndonjë mendim apo ndonjë shpjegim, apo ndihmesë nga ana jonë. Kjo flet se përgatitjet nuk janë bërë në mënyrën e duhur”, ka thënë ai. (express)
Shtuar më 16/04/2009, ora 22:39
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori